Gardiani i portës kuqezi, Etrit Berisha ka qenë në nivele të larta në dy ndeshjet e fundit, por ai shprehet se në të njëjtën nivel kane qenë të gjithë shokët e skuadrës. Sidoqoftë, kjo nuk ka mjaftuar që të shmangim humbjen ndaj Portugalisë, që për portierin kosovar nuk ka të bëjë aspak me fatin.
“Goli i pësuar nuk ishte punë fati, ishte një situatë ku nuk ishim të përqendruar sa duhet dhe skuadra të mëdha si Portugalia dinë t’i shfrytëzojnë ato. Më shumë më dhemb sepse na ka ndodhur edhe më parë, por ne duhet ta harrojmë këtë humbje dhe të fillojmë të mendojmë për sfidat që na presin”, u shpreh Berisha.
Numri 1 i Kombëtares kuqezi ka thënë se të gjithë në dhomat e zhveshjes ishin të mërzitur, përfshirë trajnerin De Biasi, i cili nuk ka harruar t’i përgëzojë të tijtë për ndeshjen. Berisha shprehet se ky gol do të jetë mësim për ndeshjet e tjera, në mënyrë që të shmangim golat e minutës së fundit.
Në të njëjtën linjë sikurse Berisha, ishte edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Ansi Agolli, që thotë se kuqezinjtë për një çast ia lejuan vetes të mendojnë se kishin arritur të merrnin një pikë. Ai ka thënë se kishin studiuar çdo skemë të “luzitanëve”, por ajo që në ndodhi në minutën e 92-të ishte e paparashikuar.
“Lodhja nga ndeshja me Danimarkën filloi të ndjehet në minutat e fundit, por ne kemi luajtur me zemër dhe kemi dhënë maksimumin. Ishte mungesë përqendrimi, i kishim studiuar shumë mirë në goditjet standarde apo ato nga këndi, por meqë ishte minuta e fundit në zonë erdhi edhe Veloso dhe na zuri në befasi”, deklaroi Agolli.
Top Channel