Skanimi në dogana, nis pagesa për çdo deklaratë

07/09/2015 12:40

Nga sot të gjitha bizneset e import- eksportit do të paguajnë në doganë një tarifë ekstra për skanimin e kontenierëve dhe automjeteve. Sikurse u lajmërua edhe nga Ministria e Financave, kompania koncensionare Rapiscan ka gati sistemin e operimit të këtij shërbimi që do të rrisë kostot e bizneseve.

Pagesa për skanimin do të kryhet mbi bazën e deklaratës doganore dhe kjo tarifë përfshin importin, eksportin si dhe kalimin tranzit në Shqipëri. Referuar marrëveshjes se ndryshuar nga Kuvendi pak muaj më parë, tarifa e skanimit do të jetë 22 euro për deklaratat mbi 1000 euro dhe 5 euro për deklaratat doganore që janë me vlerë deri në 1,000 euro.

Sipas Ministrisë së Financave shërbimi i ofruar nga private në doganë, do të parandalojë kontrabandën, veçanërisht në produktet e akcizes, lëndëve narkotike, apo produkteve të dëmshme, të armëve, të municioneve.

Që pas ardhjes në pushtet, socialistët nisën procedurën e parë anuluese ndaj një kontrate koncensionare, që ishte kjo e skanimit të kontenierëve në dogana. Në atë kohe biznesi e mbështeti nismën, pasi tarifa e skanimit për sipërmarrësit dëmtonte financat e tyre. Por pak muaj pas vendimit që mbante pezull koncensionin e kontestuar, Rapiscan e dërgoi çështjen në arbitrazh, duke nisur përgatitjet për mbrojtjen ligjore ndaj koncensionit që e kishin fituar nga demokratët pak para se të humbnin pushtetin dhe i kërkonte qeverisë 256 mln euro dëmshpërblim.

Por pas këtij hapi, qeveria nisi negociatat dhe falë një marrëveshje të paqtë e shmangu arbitrazhin dhe ndryshoi kushtet e kontratës, duke ulur kostot e saj me disa miliona euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA