Raporti për Shqipërinë, FMN: ‘Paqja Fiskale’ minon progresin në administrimin tatimor, rrezikohet qëndrueshmëria fiskale Profesor Sotiraq Dhamo, një nga ekspertët më të njohur të taksave në vend, thotë se gjoba prej 10 milionë lekësh për biznesin me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit, që nuk lëshon kuponin tatimor, është e tepruar dhe nuk e ndihmon luftën ndaj evazionit. Ai mbështet ashpërsimin e masave ndëshkuesve ndaj informalitetit, por në nivele të arsyeshme.
“E them këtë, sepse gjoba nuk ka për qëllim të shkatërrojë, por qëllim – gjykoj unë, – që të parandalojë dhe që të jetë e mundshme që të paguhet. Përndryshe do të shkohet në situatën kur vendoset një gjobë që pastaj nuk mund të paguhet. Po të llogarisim që shumica e bizneseve në Shqipëri janë me xhiro deri në 8 milionë lekë, po të vendoset një gjobë – me apo pa të drejtë, – prej 10 milionë lekësh, edhe sikur biznesi të dojë nuk e paguan dot. Gjobat duhet të kenë një kuptim kur të vendosen, sepse qëllimi i tyre nuk është që të trembin”, tha Sotiraq Dhamo.
Luan Bregasi i “Biznes Albania” mbështet ashpërsimin e masave ndëshkuese ndaj evazionit. Por, sipas tij, ato nuk duhet të jenë të palogjikshme.
“Në rast se deri më tani një gjobë ishte sa dyfishi i faturës që bëhej evazion nga biznesi, le të fuqizohet e të bëhet trefish apo katërfish, por të mos jetë fikse sepse në perceptimin tonë, ashtu siç taksat e larta kanë tendencë të prodhojnë evazion dhe prodhojnë në shumë raste, ashtu edhe gjobat e larta në perceptimin tonë prodhojnë – diku më shumë apo diku më pak – edhe korrupsion të atyre që do e administrojnë sistemin e gjobave”, tha Luan Bregasi.
Një projektligj i ri, që amendon ligjin ekzistues të procedurave tatimore, parashikon gjobitjen me 10 milionë lekë të bizneseve me qarkullim më të madh se 8 milionë lekë në vit, nëse nuk lëshojnë kuponin tatimor.
Paralelisht, ai parashikon të njëjtën masë gjobe për bizneset, të cilat nuk kanë kasa fiskale të rregullta. Drafti, i cili është ende në fazë fillestare, u është shpërndarë ministrive përgjegjëse për komente.
Kryeminsitri Edi rama kishte paralajmëruar më parë ashpërsimin e masave kundër informalitetit, një pjesë e të cilave duket se janë materializuar në draftin e ri të procedurave tatimore.
Top Channel