Kapiteni i Kombëtares kuqezi, Lorik Cana është shfaqur i zhgënjyer pas humbjes ndaj Portugalisë, por numri 5 ka vlerësuar “luzitanët”, por edhe shokët e skuadrës.
“Me skuadra të tilla duhet të dish se nëse ul përqendrimin, ndëshkohesh. Kështu na ndodhi dhe ne. Bëmë një lojë dinjitoze, duke rrezikuar disa herë. Në pjesën e dytë u shfaqëm të rrezikshëm. Duhet ta marrim si një mësim për të ardhmen. Gjendja ime? Nuk isha në 100% të formës”, deklaroi kapiteni.
Megjithatë, sa i përket kualifikimit në finalet e EURO 2016, Loriku refuzon të dorëzohet. Ai ka premtuar se muajin e ardhshëm, kur Kombëtarja do të luajë dy sfidat e fundit dhe vendimtare, përfaqësuesja kuqezi do të jetë edhe më e fortë.
“Në tetor do të vijmë edhe më në formë. Do të tentojmë ta çojmë Kombëtaren aty ku meriton të jetë. Do të jemi të fokusuar te ndeshja me Serbinë dhe Armeninë. Ato gabime për sa i përket pjekurisë, do t’i përmirësojmë. Do të ngrihemi pas kësaj humbjeje. Kemi shumë gjëra për të përmirësuar, pasi kemi fatin në dorë”, u shpreh Cana.
Top Channel