Armenia i bën “dhuratë” Shqipërisë, 0-0 me Danimarkën në Jerevan

07/09/2015 20:00

Shpresat e Danimarkës për të siguruar një biletë kualifikimi drejtpërdrejt në finalet e Europianit “Francë 2016” morën këtë pasdite të 7 shtatorit një goditje të rëndë, teksa Armenia i ka ndalur në barazim pa gola të besuarit e Morten Olsenit.

Ndeshja e vlefshme për grupin I të kualifikueseve, aty ku bën pjesë edhe Shqipëria, është barazimi i dytë pa gola për danezët, pas sfidës së 3 ditëve më parë në Kopenhagen kundrejt kuqezinjve tanë, teksa tashmë u mbeten edhe 90 minuta nga fundi i kësaj fushate.

Barazimi në Jerevan mund të rezultojë fatal për Danimarkën e Olsenit, ashtu sikurse dhe për vetë trajnerin, pasi tashmë u mbetet vetëm të fitojnë në Portugali dhe të shpresojnë që Shqipëria të mos marrë më shumë sesa 4 pikë në 3 ndeshjet e mbetura, përfshi edhe atë me portugezët që luhet pas pak minutash në “Elbasan Arena”.

Edhe pse danezët e nisën shumë mirë këtë fushatë kualifikuesesh, duke u shfaqur si pretendentë për në Euro 2016, tashmë ata mund të përfundojnë drejt një dueli të dyfishtë në fazën “play off” pas përfundimit të ndeshjeve në grupe, nëse do të mbeten në vendin e tretë në grup, pas Portugalisë e Shqipërisë.

Mediat daneze, edhe pse e pranojnë se në këto dy rezultate negative (barazime pa gola) me Shqipërinë dhe Armeninë ka ndikuar edhe mungesa e talentit Eriksen, fajësojnë më së shumti zgjedhjet e teknikut Morten Olsen, që me të gjitha gjasat mund të japë dorëheqjen ose të shkarkohet nga drejtimi i kombëtares daneze para se të shkohet në Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA