Santos: Duam tri pikët. Ronaldo? Gati dhe i motivuar për sfidën

06/09/2015 16:45

Portugalia ka mbërritur në Tiranë ditën e shtunë, ndërsa sot (e diele) në orën 18:00 është planifikuar seanca e fundit stërvitore para ndeshjes me Shqipërinë, duke ndryshuar kështu programin, pasi ishte planifikuar që të udhëtonin drejt Elbasanit, në mënyrë që seanca e fundit të mbahej në fushën ku do të luhej ndeshja.

Sidoqoftë, në konferencën para ndeshjes me Kombëtaren kuqezi, trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka shprehur respektin për djemtë e De Biasi-t, ndërsa ka shtuar se skuadra e tij duhet të jetë në nivel të lartë nëse dëshirojnë të largohen nga Shqipëria me rezultat pozitiv.
 
“Askush nuk duhet të ketë dyshime se do të hasim shumë vështirësi. Duhet të kemi parasysh që Shqipëria nuk është një skuadër e lehtë. Nëse duam të fitojmë, është e nevojshme të jemi agresivë, dinamikë, të tregojmë dëshirë në fushë dhe të shfrytëzojmë rastet. Kualiteti ynë mund të bëjë diferencën”, u shpreh ai.

Santos ka thënë se dëshiron vetëm fitoren përballë Shqipërisë. Tekniku i “luzitanëve” ka deklaruar se ylli i tij, Cristiano Ronaldo është shumë i motivuar për sfidën me kuqezinjtë.

“Objektivi ynë është vetëm fitorja. Edhe Cristiano Ronaldo është i motivuar të ndihmojë skuadrën pavarësisht se nuk ka shënuar në tre ndeshje. Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë cilësorë, ku forca e vërtetë është kolektivi dhe fakti që japin gjithçka në fushë. Nuk kam frikë, por vetëm vlerësime për punën e kolegut De Biasi, që ka ndërtuar një ekip të mirëorganizuar dhe që luan për fitore”, vazhdoi Snantos.

Trajneri i Portugalisë ka thënë se sfida me Shiqipërinë të hënën në mbrëmje dhe ajo me Danimarkën në shtëpi, janë vendimtare për kualifikimin direkt.

Ndërkohë, Ricardo Quaresma po shpreson që ai me shokët e skuadrës t’i shkaktojnë humbjen e parë Kombëtares kuqezi në kualifikueset e Euro 2016. Sipas tij, lojtarët shqiptarë japin gjithçka për fanelën kuqezi, dhe kjo bashkë me disa elementë të tjerë e bejnë një kundërshtarë të vështirë.

“Objektivi ynë i vetëm është fitorja. Kemi ardhur të marrim tri pikët edhe pse jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë, pasi Shqipëria është pranë kualifikimit në Euro 2016. Shqipëria ka shpirt loje, kundërsulm të rrezikshëm dhe për këtë arsye ende nuk ka humbur në grup. Shpresoj që humbja e parë të vijë me Portugalinë”, tha ai.

Ylli i Besiktas dha siguri se Portugalia është gati, pavarësisht vështirësive që paraqet sfida në Elbasan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA