Rally konsiderohet si një sport ekstrem, i cili tërheq shumë vëmendje nga sportdashësit e veçanërisht ata të garave me makina, por një garë e tillë rezultoi fatale për 6 persona, teksa disa dhjetëra të tjerë janë plagosur, kur një makinë sportive doli jashtë kontrolli në La Coruna të Spanjës.
Ngjarja ka ndodhur në rajonin veriperëndimor të Spanjës, Galicia, gjatë ditës së shtunë siç bën të ditur Garda Civile e Mbretërisë spanjolle, e cila shton se piloti i makinës Rally humbi kontrollin e doli nga trajektorja duke vrarë 4 gra, njëra prej të cilave ishte shtatzënë, si dhe dy burra.
“Njëri prej pilotëve hyri në kthesë me shpejtësi shumë herë më të lartë nga sa duhej, duke dalë jashtë trajektores e duke përplasur rreth 20 persona”, tha zëdhënësi i Gardës Civile. Pamjet televizive treguan një makinë Rally të dalë jashtë pistës në një rrugë pyjore, të përplasur me një turmë njerëzish dhe një re të madhe tymi.
Mediat lokale raportuan se piloti dhe ndihmëspiloti shpëtuan të padëmtuar, por zëdhënësi i Gardës nuk mundi ta konfirmonte diçka të tillë.
“Gara Rally e La Corunas është në zi. U shpreh ngushëllimet të afërmve të viktimave, teksa uroj shërimin e shpejtë të të gjithë të plagosurve”, tha kryeministri Mariano Rajoy, i cili edhe vetë është nga Galicia, përmes një postimi në Twitter.
Top Channel