Ulpiana Lama – Ata u dyndën drejt Libanit, Turqisë dhe Jordanisë, përpara se të vërshonin dyerve të Europës.
Nuk ia vumë veshin njoftimit se një qytet-kamp, Zatari, brofi nga hiçi brenda pak muajve në Jordani, për të arritur në mars të 2013-s në 156 mijë banorë. Të mbytur në gotën tonë të ujit, u shurdhëm ndaj lajmit se numri i refugjatëve sirianë në Turqi kapi shifrën 1 milionë e 700 mijë. Çdo i pesti person në Liban është refugjat sirian. As këtë nuk e regjistruam: ishte problem diku, i dikujt, jo i yni. Derisa deti na e solli krizën përpara syve, në trajtën e një trupi pa jetë vogëlushi. Për lemerinë tonë. Nuk i fshihemi dot më krizës së refugjatëve. Nuk na mbron kinse mungesa e informimit. Nuk pi ujë gjoja-argumentimi se është përgjegjësi e fqinjëve dhe kulturave më të afërta për t’u bërë konak. Aq më pak na falet cinizmi. Situata e krijuar flet sa për krizën, po aq edhe për ne, pasi ka vënë në sprovë vlerat tona.
Nga një këndvështrim moral, ne nuk e kemi të vështirë të kuptojmë se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar: Qeveria e Kosovës sapo mori vendimin të pranojë tre mijë refugjatë. Kjo është e drejtë. Një politikan britanik përbalti ikanakët. Është gabim. Kancelarja Merkel pohoi gatishmërinë e Gjermanisë për të pranuar 800 mijë refugjatë e azilantë. E drejtë. Një ish-president rumun sugjeroi publikisht që Rumania të refuzojë çdo pjesëmarrje në akomodimin e refugjatëve. Gabim.
Vendimi i prindërve të Aylanit, për ta marrë Egjeun me varkë nuk ishte as i papërgjegjshëm, as absurd. Aylani ishte fëmijë i luftës. Vëllai i tij më i madh nuk i kishte mbushur 12 muaj kur krisi lufta. Ende përpara betejës për Kobanen (qyteti ku banonin), që e shndërroi në një varrezë njerëzish dhe ndërtesash, mjete dehumanizuese, si ndalimi i furnizimit me ushqime dhe ujë të pijshëm, tortura dhe përdhunimi, shpërngulja dhe zhdukja, e kishin bërë të jetuarit gjëegjëzë: A do të zgjohemi gjallë nesër në këtë ferr? Familja Kurdi aventuroi të kërkojë një jetë përtej flakës së zjarrit dhe kampeve të refugjatëve, diçka më të qëndrueshme, më të sigurt, që e njohim si “e ardhme”. Në fakt, “e ardhmja” u shndërrua “në përjetësi”. U prehshin në paqe!
Me miliona janë të pashpresët që enden sot rrugëve e ujërave të botës, duke bluar në monologë të brendshëm dhe sfilitës skenarë për të “ardhmen”. Duhet të përgatitemi që qëndrimi i tyre do të zgjasë. Kriza do të ketë impakt ekonomik, sigurie dhe social. Sado që Kosova e Shqipëria nuk shihen nga refugjatët si vende-destinacione, është e pritshme që një pjesë të integrohen.
Çfarë mund të bëjmë?
1. Të kuptuarit e sfidave të sigurisë. Vigjilencë ndaj një industrie të kriminalitetit që lulëzon në kohë të turbullta. Për shembull, raportohet presion ndaj vajzave e grave për ushtrim prostitucioni në kampet e refugjatëve në Jordani. Ky është momenti që presin trafikantë të të gjitha llojeve për të maksimalizuar përfitimet mbi tragjedinë e qenieve njerëzore.
2. Grumbullime solidarizimi: Çdo i dyti shqiptar i Kosovës ka përvojë personale si refugjat lufte. Rrjedhimisht, e di shumë mirë se kriza nuk do të zgjidhet në sajë të solidaritetit njerëzor; adresimi i shkaqeve është domosdoshmëri! Në rastin e Bosnjës dhe Kosovës u desh aksion politik që t’i jepej fund krizës humanitare. Për më tepër, zgjatja e konfliktit do të zvogëlojë gjasat për kontrollimin e tij – ISIS nuk do të frenohet në territoret e deritanishme, por do të provojë të shtrijë pushtetin edhe në Liban, Turqi etj., çka do prodhonte miliona të zhvendosur dhe situatë plotësisht të pamenaxhueshme.
3. Vullnetarizëm: kanalizim i vëmendjes dhe programeve të Kryqit të Kuq, Shoqatës “Nëna Terezë” dhe të tjera institucioneve në akomodimin e nevojave të refugjatëve. Të rinj e të rritur mund të ndihmojnë që prej dedikimit të kohës për fëmijët dhe njerëzit në nevojë, deri te strehimi i familjeve në shtëpi. Sërish kjo nuk do jetë e mjaftueshme. Kosova dhe Shqipëria mund të rrisin numrin e të strehuarve, nëse Bashkimi Europian i mbështet financiarisht. Ka sens: kostoja e akomodimit këtu është së paku 3 herë më e lirë se në Europën Perëndimore.
Për mbyllje:
Këtë të shtunë shënohet Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, e cila përkon me datën e ndarjes nga jeta të Nënë Terezës. Ndonëse të vonuar në përgjigjen ndaj thirrjes së refugjatëve për t’ua shpëtuar shpirtrat (SOS), sipas këshillës së shqiptares nobeliste ne mund ta gjejmë lumturinë në të qenët të dobishëm për të tjerët, duke u ofruar më të mirën pritje të mundshme, buzëqeshjen.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel