Ashtu siç pritej ndeshja mes Shqipërisë dhe Danimarkës ka zbrazur rrugët e kryeqytetetit dhe i ka mbledhur njerëzit në lokale dhe sheshe, ku për 90 minuta sytë e të gjithëve kanë qenë të fokusuara vetëm në atë ndeshje.
Veç shumë lokaleve, ndeshja është transmetuar dhe në lulishten e Kryeministrisë, ku ishte vendosur dhe një monitor gjigand, duke e shndërruar atë ambient në një arenë tifozësh.
Veç qindra tifozëve të mbledhur, të pranishëm ishin dhe Kryeministri Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, por edhe përfaqësues të selive diplomatike në vend.
Siç është parë gjatë gjithë 90 minutave, Kryeministri Rama dhe më së shumti deputetit Pandeli Majko, kanë qenë tejet të tensionuar, tension i cili mbaroi me mbylljen e ndeshjes. E në fund të 90 minutave të tensionit, Kryeministri Edi Rama u shpreh krenar për ekipin kombëtar, duke e cilësuar historike këtë arritje.
“Jemi zyrtarisht në “Play off” dhe kemi përpara një mundësi që nuk e kemi pasur kurrë më parë. Gjithçka mund të ndodh me këtë skuadër që është një vlerë e madhe për këtë vend sepse është shembulli më i shkëlqyer se çfarë mund të bëhet kur të gjithë bëhen bashkë dhe kur shpirti i skuadrës dhe i sakrificës i bashkon të gjithë edhe në momentet më të vështira”, tha Rama pas barazimit mëse të merituar në Kopenhagen.
Top Channel