Një gol i shënuar nga Sigurdsson me 11-metërsh në minutën e 51-të i ka dhënë një fitore të madhe Islandës në Holandë. Për “tulipanët” ishte një tjetër zhgënjim, për të cilët tashmë kualifikimi direkt në “Euro 2016” është thuajse i pamundur, ndërsa rrezikojnë edhe “play-off”-in.
Ndeshja për të ‘zotët e shtëpisë’ shkoi si mos më keq. Arjen Robben u zëvendësua në minutën e 31 nga Narsingh për arsye dëmtimi, ndërsa 2 minuta më vonë Bruno Martins Indi u ndëshkua me karton të kuq, pasi goditi një kundërshtar teksa ai ishte i shtrirë.
Ndërkohë, vetëm 6 minuta pas nisjes së pjesës së dytë, islandezët arritën të fitojnë edhe një 11-metërsh, të cilin e ktheu në gol Gylfi Sigurdsson. Deri në fundin e takimit rezultati 0-1 mbeti i pandryshuar.
Kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje për t’u luajtur, Holanda gjendet e treta me 10 pikë, ndërsa grupi udhëhiqet nga Islanda me 18 pikë, Çekia e dyta me 16. Në vendin e katërt renditet Turqia me 9 pikë, e cila pati një mundësi mjaft të mirë për të kaluar në vendin e tretë, por mori vetëm një barazim 1-1 në fushën e saj ndaj Letonisë.
Humbja e Holandës mbrëmjen e së enjtes mund të jetë një lajm i mirë për Kombëtaren tonë, pasi “tulipanët” ishin një nga pretendetët për të dalë si e treta më e mirë dhe të kualifikoheshin direkt në Euro 2016, por tashmë e treta e këtij grupi me shumë mundësi nuk mund ta arrijë këtë vend.
Italia mori tre pikët që janë më të rëndësishmet në një ndeshje futbolli, por nuk bindi ndaj një kundërshtari modest si Malta, duke u mjaftuar me një fitore minimale 1-0. Autor i golit të vetëm të takimit ishte Graziano Pelle në minutën e 69. Italianët udhëheqin grupin H me 15 pikë, por këtu asgjë nuk mund të quhet e mbaruar, pasi kroatët që barazuan të enjten 0-0 në Azerbajxhan, janë të dytët me 14 pikë, ndërsa vetëm me një pikë më pak është Norvegjia që fitoi 0-1 ndaj Bullgarisë.
Të enjten u luajtën edhe ndeshjet e grupit B, ku Uellsi është i papërmbajtshëm, duke arritur një tjetër fitore, këtë herë 0-1 ndaj Qipros. Belgjika fitoi 3-1 ndaj Bosnjës, ndërsa Izraeli mposhti 4-0 Andorën. Uellsjanët e udhëhequr nga lojtari i Realit, Bale, janë në vendin e parë në grup me 18 pikë, Belgjika e dyta me 16, ndërsa në vendin e tretë është Izraeli me 12 pikë.
Top Channel