Ja transferimet e minutës së fundit në Serinë A

01/09/2015 00:00

Po ashtu si edhe në vitet e kaluar, dita e fundit e merkatos së verës në Serinë A ka qenë e pasur me transferime të shumta, pavarësisht se cilësia e lojtarëve të afruar nga ekipet kryesore italiane nuk është se jep shumë siguri për sezonin 2015-2016.

Interi ishte skuadra që e shfrytëzoi më shumë ditën e fundit të transferimeve, ndërsa drejtuesit e Milanit ishin në “gjumë”.

Zikaltrit arritën të kryejnë një lëvizje të trefishtë, duke afruar fillimisht Felipe Melo-n dhe Telles nga Galatasaray, ndërsa në minutat e fundit nënshkruan edhe me serbin Ljajic. Një lëvizje mjaft e rëndësishme kjo për Interin, pasi Jovetic-Ljajic-Icardi është një treshe sulmuese për t’u pasur zili, jo vetëm nga ekipet italiane, por edhe më gjerë. Megjithatë, ardhja e Ljajic në Milano është një lajm jo i mirë për talentin shqiptar, Rey Manaj, për të cilin tashmë do të ketë më pak hapësira. Më parë, presidenti Thohir zyrtarizoi edhe kroatin Perisic.

Pas këtyre afrimeve, drejtuesit e Interit kryen edhe një shitje, edhe kjo e rëndësishme, pasi klubi arkëtoi 11 milionë euro nga kalimi i Hernanes tek Juventusi. Bardhezinjtë transferuan brazilianin, i cili është një lojtar me përvojë në Serinë A dhe mund të ofrojë garanci në mesfushë pas largimit të Pirlos.

Ndërkohë, pavarëisht problemeve të mëdha që ka treguar në mesin e fushës në dy ndeshjet e para të kampionatit, por edhe zërave të shumta për transferimin e mesfushorëve, si Witsel apo Soriano, Milani nuk ka arritur të afrojnë asnjë lojtar ditën e hënë, e cila ishte e fundit e kësaj merkatoje dhe tashmë trajneri serb, Mihajlovic, duhet ta ndërtojë mesin e fushës me lojtarët që në dy ndeshjet e para nuk kanë bindur. Galliani nuk afroi asnjë lojtar të hënën, por huazoi Matrin te Lazio.

Ndërsa Milani u dorëzua për Sorianon e Sampdorias, Napoli bëri gjithçka gati për ta transferuar mesfushorin. Firmat mes klubeve dhe futbollistit mbi kontratën e imazhit dhe atë sportive, ishin arritur, por në federim, Napoli është prezantuar 1 minutë pas mbylljes zyrtare të merkatos dhe kështu, sipas medieve, ka dështuar ky transferim, që në parim është kryer, pasi Sampi do të përfitojë 13 mln euro dhe huazimin 1 vit të Zuniga-s.

Edhe Fiorentina nënshkroi me një lojtar mjaft cilësor, siç është polaku Blaszczykowski. Ndërsa Borrielo kaloi Carpi, që këtë vit është ngjitur mes më të mirëve të Serisë A.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB