Dortmundi huazon Adnan Januzajn deri në fund të sezonit

31/08/2015 00:00

Adnan Januzaj do të jetë një lojtar i Borussias së Dortmundit në Bundesligë gjatë këtij sezoni, edhe pse në formë huazimi nga Manchester United, ku pritet të gjejë më shumë hapësira për t’u aktivizuar rregullisht, ndryshe nga minutat e kufizuara që gjente në “Old Trafford”.

Belgu me origjinë kosovare i “djajve të kuq”, 20 vjeç, e ka parë veten gjithnjë e me më pak mundësi aktivizimi në ekipin anglez gjatë drejtimit të United nga trajneri holandez, Louis van Gaal, ndërsa tashmë shpreson të nisë një aventurë të re në Dortmund, ku do të mbajë veshur fanelën me numrin 9.

Januzaj kishte shprehur më herët dëshirën për të qëndruar në Premier League, pas shënimit të golit të fitores me Aston Villan këtë fundjavë, kur edhe luajti për herë të parë titullar në kampionat që prej muajit shkurt, por “lufta” e tij për të fituar një vend titullari gjeti zgjidhje në ditën e fundit të kësaj merkatoje verore.

Belgu do të bashkohet në “Westfalenstadion” me një tjetër ish-lojtar të United, japonezin Shinji Kagawa, duke u bërë blerja e shtatë e kësaj vere për ekipet e kreut të Bundesligës.

Top Channel