Emigracioni si “miu nën hundë”

28/08/2015 00:00

Nga Arben Manaj – Europa ndodhet përballë një krize që ajo greke mund t’i duket shaka. Emigrimi selektiv që po përjetojnë makroshtetet e kontinentit, është në një analizë të fundit, një produkt i prodhuar nga vetë këto vende, sa nga naiviteti, aq edhe dështimi kronik i vendimmarrjeve kolektive të Unionit.

Në tërë këtë histori migrimi drejt habitateve të begatshme të Perëndimit, kryesisht atij veriperëndimor, më pak të kritikueshmit, nëse do të përdorej kjo fjalë, janë vetë emigrantët që edhe unë po të isha në këpucët e tyre, do bëja të njëjtën gjë, siç kanë bërë historikisht kombet e tjera, nga italianët e deri te shqiptarët.

Ata thjesht, qoftë prej hallit kritik apo prej natyrës njerëzore, për një jetë më të mirë, kur jepet mundësia e rrallë e kësaj natyre në jetë, po shfrytëzojnë në shumicën e tyre një praktikë azilkërkimi, të parashikuar padyshim, në konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare që rregullojnë çështjet e emigracionit, të cilat këto shtete demokratike që po mirëpresin në masë valën e fundit, kanë vendosur të respektojnë, qoftë edhe prej hallit.

Në rastin më klasik të azilkërkuesit, dhe këtu po aplikoj përvojën dhe knoë-hoë-n tim, relativisht të gjatë prej afro dy dekadash në marrjen me çështjet e emigracionit në Britani, një person që i ikën persekutimit dhe frikës për jetën, do të duhet të ishte parimisht i sigurt, në vendin e parë të sigurt ndërkombëtarisht nga vendi i tij i origjinës, ku ndodh konflikti, lufta apo persekutimi.

Për ta bërë më të qartë; nëse dikush ikën nga Siria, Afganistani, Somalia apo Shqipëria, do të ishte i sigurt, po të mbërrinte në Greqi, Itali apo Spanjë, si shtetet fundore ose hyrëse drejt Bashkimit Europian.

Por çfarë ndodh?

Emigrantët apo azilkërkuesit janë selektivë, siç e thashë më sipër, pasi ata përzgjedhin të shkojnë aty ku jetohet më mirë, aty ku u garantohet një status më i mirë emigrimi, me shanse më të mëdha për marrje statusi apo shtetësie, dhe padyshim me ndihma sociale, shumë më të mëdha dhe më të shpejta për t’u garantuar, sesa në vendet që përmenda më sipër, ku në rastin më fatkeq i fusin të gjithë si bagëti nëpër stadiume, apo nëpër kampe me kushtet më minimale.

Në Greqi apo Itali, nuk ka ndihma sociale për emigrantët. Në rastin më të mirë, ka kontribute nga Kisha Katolikë apo Ortodokse; nuk ka kushte si në Britani apo Suedi e Gjermani. Absolutisht jo.

Ndaj emigrantët që nuk e di në të vërtete, për të qenë brutalisht i sinqertë, sesa prej tyre, realisht janë emigrantë të mirëfilltë dhe xhenuinë, kur rrinë me muaj të tërë nëpër periferitë e Eurotuelit në Calaise të Francës, në një pjesë jo të vogël janë të përgatitur të paguajnë deri në 5 mijë sterlina për t’ua dhënë trafikantëve për t’i hipur nëpër maune apo kamionë drejt Britanisë se Madhe.

Por në tërë këtë mesele, ka edhe pasinqeritet të dukshëm, mes vetë vendeve të BE-së, ku secili përpiqet t’ia lërë në derë tjetrit, atij më në veri të kontinentit, barrën e emigrantëve.

Ka një marrëveshje që quhet “Marrëveshja e Dublinit”, sipas së cilës, çdo emigrant apo azilkërkues, duhet të kërkojë azil në vendin e parë të sigurt dhe nëse dikush që vërtetohet se ka mbërritur fillimisht në Itali apo Greqi, do duhet t’i shqyrtohet kërkesa në atë vend të parë ku ka mbërritur, e do duhet të kthehet atje, për t’iu shqyrtuar kërkesa e azilit.

Por jo gjithmonë ndodh kështu, ose shumë rrallë ndodh kështu, e nëse ndodh, te vendi ku rikthehet, emigranti lihet i lirë për të tentuar sërish drejt vendit nga e kanë kthyer.

Konkretisht, nëse e kanë kthyer nga Anglia në Francë lihet i lirë në Francë, e ai ose ajo, sërish tentojnë të hyjnë sërish në ishull.

Pa folur, që me sytë e mi, kam parë në Gare du Nord në Paris, sesi shumë vite më parë, policët francezë ua bënin me shenjë emigrantëve të hipnin në Eurostar drejt Londrës.

Por edhe kjo praktikë e parashikuar në “Marrëveshjen e Dublinit” është e pandershme, pasi nuk mund t’i kërkosh vetëm Greqisë, Spanjës apo Italisë, të mbajë “pjesën e luanit” në kohë krizash, si këto që po përjetojmë.

Logjikisht që jo. Ndaj lipset një korrektim politikash dhe marrëveshjesh apo traktatesh ndërkombëtare, që parashikon realitetet e vjetra dhe të reja të emigrimit.

Perëndimi, dhe këtu kam parasysh, Britaninë, Gjermaninë, Suedinë apo ndonjë vend tjetër, ku tentojnë të shkojnë shumica e emigrantëve, qoftë edhe kohët e fundit, janë vende të zhvilluara, dhe këtu hyn në lojë termi naivitet, ku këto vende kanë një sistem shumë të avancuar përpunimi kërkesash për emigrim si dhe lehtësirash, që janë mjaft tunduese për çdo emigrant të vërtetë apo kallp.

Nuk është faji i një somalezi, apo edhe një shqiptari kur vjen në Angli dhe i ofrohen shumë mundësi, që nga strehimi e deri te ndihmat sociale.

Britanikët të paktën ka kohë që e kanë kuptuar së këto kushte janë faktorët që i ndjellin shumicën dërrmuese të emigrantëve, drejt El Dorados, që janë gati të paguajnë çdo lloj çmimi financiar dhe njerëzor deri me jetën e tyre, siç ka ndodhur për të hyrë në Britani, jo pse ai vend ka kohën e bukur, por se ka mundësitë për një jetë më të mirë dhe më të lehtë për t’u bërë anglez zyrtarisht, shumë më shpejt se ndoshta çdo europian tjetër.

BE-ja po tenton të gjejë një zgjidhje dhe disa nga opsionet e hedhura në tavolinë janë shprehje tipike e shterpësisë dhe insistoj e naivitetit të frikshëm.

Përse të mos vijnë fundja polakët, rumunët a bullgarët në Britani, ku ka shumë punë për ta, që nga ndërtimi e shumë profesione të tjera, aq më tepër kur ata marrin edhe banesa falas nga autoritetet lokale dhe ndihma financiare për çdo fëmijë që kanë me vete në Angli apo që kanë lënë pas në vendet nga kanë ardhur.

Nuk u vë faj atyre, por rregullave idiote të BE-së që sanksionojnë oportunitete të tilla asimetrike në mbarë territorin e BE-së.

Jam i sigurt se nëse nuk do kishte kaq përfitime të kësaj natyre, një pjesë shumë, shumë e madhe e tyre, nuk do donin të vinin në Britani.

Europa nuk shquhet për zhdërvjelltësi në vendimmarrje kolektive, dhe as për unitet dhe universalitet të kollajtë në politikat e përbashkëta.

Është qesharake dhe e pazgjuar në thelb, që të kritikohen azilkërkuesit shqiptarë, për shembull, se përse shkojnë e kërkojnë azil në Gjermani më shumë sesa në Britani apo gjetkë?!

Ata kanë ardhur aty, sepse panë një dritare mundësie për një jetë më të mirë. Shqiptarët dhe shumica e ballkanasve e kanë pasur mundësinë e lëvizjes së lirë që prej disa vitesh, por nuk dolën kaq masivisht sa kohët e fundit, dhe lanë vendet e tyre, apo ato vende nga ku jetojnë si Greqia sikurse pretendohet, nëse pranojmë argumentin e fundit të hedhur nga qeveria shqiptare, sepse qoftë përmes spekulimit apo realizmit, u thanë se në këto vende, do sistemohen më lehtë dhe më shpejt.

Dhe insistoj, nuk është faji i tyre në fund të fundit, nëse mashtrimin nuk e konsiderojmë faj. E ritheksoj është në natyrën njerëzore.

Padyshim, shumica mendojnë dhe kanë nevojë për shanse më të mëdha për veten dhe familjet e tyre, qoftë përmes ndihmave sociale, qoftë përmes punësimit, që i kanë më të mëdha në vendet e tyre.

Por BE-së do t’i dilte më mirë, nëse edhe shqiptarëve dhe atyre ballkanasve që kërkojnë azil, t’u ofronte meqë jetojnë në Europë, dhe jo në Siri apo Afganistan, e që fundja janë njerëz që vijnë nga vendet kandidate për në BE, t’u mundësohet e drejta e lëvizjes edhe përtej Shengenit, si në Britani dhe Republikën e Irlandës, por edhe të kenë të drejtë punësimi në detin e madh të begatisë së Perëndimit, të drejta që gjithsesi i ushtrojnë edhe pse pa status legal.

Dhe kushdo që do mund të mësojë notin përmes pagimit të taksave e detyrimeve, të mund të jetojnë dhe ngrenë çatinë e tyre, ku të mundnin.

Nuk u mbyt Britania nga polakët dikur, e as nga rumunët e bullgarët aktualisht.

Pikërisht se nuk kanë mundësi të tilla, shqiptarët detyrohen në shumicë të kërkojnë azil si femra të trafikuara, kur nuk bashkohen dot me burrat dhe të fejuarit e tyre; të kërkojnë azil për gjakmarrje apo për orientim seksual, kur nuk mund të vijnë dot të jetojnë dhe punojnë në një vend që ka nevojë për ta, edhe për shkak të plakjes së popullsisë apo pse jo, kur janë minorenë, shteti mikpritës i mban më bukë e shtëpi, me shkollë e gjithçka tjetër, deri në moshën 18-vjeçare.

Andaj, qeveria shqiptare e cila duket mjaft e kompleksuar çuditërisht me emigrimin, pa qenë nevoja, pasi nuk e çan kokën ndonjë homologe e tyre në Varshavë, Bukuresht apo Sofje se përse ikin kaq shumë shtetas të tyre drejt vendeve më të begata, kur ato janë vende të BE-së.

Por qeveria shqiptare do të duhet të luftojë më shumë të bindë këto qeveri se nuk ka nevojë t’u mohojë të drejtën e punës dhe lëvizjes shtetasve të saj në këto vende se numrat nuk janë as të frikshëm dhe shpenzimet e atyre vendeve, janë më të pakta sesa sot.

Emigrimi i ditëve tona drejt vendeve më të pasura të Perëndimit kërkon qasje më realiste dhe robuste për të frenuar dhe për të dekurajuar ardhjen e emigrantëve te rinj drejt portave të Europës, se nëse këto porta thyen, siç u vu re në Greqi, e më sipër këto ditë, nuk ka “Mur Budapesti”, t’i frenojë dhe gjithçka do t’i përngjajë asaj meselesë së miut që kaloi një herë nën hundë, të cilën e bën gjithmonë, më pas.

Këtu nuk po përmend pastaj elementin e sigurisë dhe se çfarë njerëzish hynë dhe sa prej tyre, kanë qëllime të mbrapshta apo janë me misione, si ato që proklamon ISIS.

Kjo e bën edhe më të frikshëm dështimin e Perëndimit në trajtimin dhe përballimin e kësaj sfide europiane multidimensionale.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA