ARTAN MULLAJ – Përfytyroni ç’ndodh në një harem! Një vajzë gjysmëlakuriqe, por me fytyrë të mbuluar, nga ku duken vetëm dy sy të zinj që lëshojnë xixa epshi, sillet vërdallë sulltanit të radhës.
Edhe pse burrë i shtyrë në moshë, ky e ndjek me sy të lëngëzuar, ndërsa gjaku i hipën në kokë. Ambient romantik. Flakëza e llambës lëpin lëkurën e zbuluar për t’i dhënë shkëlqimin ndezës të epshit. Nuk është e vështirë për balerinën e njomë të trazojë prushin e dëshirës së sundimtarit. Një nga një, e pastaj të gjitha bashkë, si fijet e shkrepëses në kuti, ajo do t’i kthejë në flakë hormonet e mashkullit të joshur. Vërtitet, përkulet, përdridhet dhe ajri rreth saj merr me vete drithërimat e dashurisë së femrës joshëse për t’ia përplasur drejt e në hundën plot qime sulltanit. Shfaqja vazhdon, ndriçimi i llambave me vaj bukove zbehet. Atmosfera nxehet, pastaj flakëron sërish, kur papritur vajza zbulon edhe fytyrën. Atëherë, që aty, këlthet dëshira për të ndier afër perandorin osman të botës, sepse burri atë çast shndërrohet në mashkull. Arsyeja largohet si reja e zezë, për t’ia lënë vendin avullit dehës dhe instiktiv të dëshirës. Pushteti gjunjëzohet para epshit. Sulltani ndien djersën në shpinë: është momenti! Pas pak do të ndodhë mëkati i radhës, të premten e radhës, me të parapëlqyerën e radhës.
Sulltan pas sulltani kështu ka ndodhur. Të kërrusur prej pushtetit të madh, pasurisë, por edhe prej pleqërisë; mjekërgjatë e seksomanë, si të dalë nga i njëjti kallëp prej gize, ata krijuan dhe mbërthyen në historinë e perandorisë së tyre dukurinë e poshtërimit të femrës. Sundim pas sundimi, përmes rutinës së haremit, ata krijuan perceptimin e kobshëm se gruaja në botë s’mund të ketë veç dy misione: të fshijë nga kujtesa e saj lirinë dhe të jetë një krijesë që merr frymë, thjesht për të përndezur hormonet mashkullore.
Po e supozoj haremin si një institucion të turpit e pamoralshmërisë dhe po shtroj pyetjet: Ç’fuqi që nuk u gjend kurrë në mesjetë, do të mund ta ndryshonte këtë ndotje institucionale të moralit? Ç’gjë do të mund ta frenonte rrëmbimin e vajzave të bukura sllave nga trevat e largëta për orgjitë e sulltanarëve? Cili zhvillim do të mund t’i jepte fund shpërdorimit barbar dhe përdhunimit të tyre të ligjshëm prej mjekërgjatëve?
Vëmendje! Ç’vorbull civilizimi do të mund ta shkatërronte këtë kasaphanë shpirtërore vajzash, që merrnin frymë vetëm për të ndezur dhe shuar epshe?
Përgjigjja, se fuqia mund të gjendej te sulltanarët, te vullneti i tyre për të hequr dorë, është e pashpresë. A mund të hiqnin dorë ata nga qejfi dhe epshet për shkak të moralit?! Është e pamundur; është si t’i kërkosh një milingone të tërheqë me një fije floku një vagon treni. Cili mashkull do të mund ta përballonte të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, të mbledhura të gjitha në magjinë e një dëshire, ku qeverisin përjetësisht instinktet, orekset dhe shtazëria?!
Pra, haremi dhe bashkë me të edhe poshtërimi femëror, nuk mund të merrnin fund për shkak të vullnetit të njërit prej sulltanëve të radhës. Secili, sado shenjtor të ishte nga natyra, do të binte pre e dëshirave të ndaluara, e kurtheve, e instiktive dhe e grykësisë, njësoj si miza në rrjetën e merimangës.
Megjithatë, erdhi çasti kur haremet u fshinë, por u fshinë vetëm atëherë kur heqja e tyre nuk ishte më çështje e vullnetit të sulltanarëve, as e njerëzve, por çështje e institucionalizimit dhe e demokratizimit të vendeve dhe vullneteve të tyre. Ç’do të thotë kjo?
Në përfundim të epokës së sulltanateve u desh të bëhej një revolucionarizim perceptimi për femrën në shoqëri. Këtij perceptimi i parapriu një opinion i përgjithshëm qytetar mbi perversitetin e kësaj dukurie. Për të shpëtuar femrën nga haremi dhe Turqinë nga turpi shekullor i shpërdorimit femëror, u desh jo ndërrimi i sulltanëve, rebelimi i robinjave në hareme, ndërrimi i tabuve, i sarajeve, i kadinjve, i ndërtesave e shekujve, por u desh ky opinion që i parapriu krijimit të një sistemi ekzekutiv, fuqiplotë, për shkak të mbështetjes kolektive që i dha shoqëria. Ky sistem ndryshoi epokat. Por kush i paraprin, i ndez dhe i provokon këto opinione të shëndetshme në histori? Idetë! Idetë e kujt? Idetë e intelektualëve, mendjeve të shquara.
Meqë jemi në ditët e nxehta të përkufizimit të moralit, për të krijuar analogjinë e nevojshme, t’i përshtatemi kohës sonë. Politikanët e lartë janë trashëguar si sulltanë. Ranë nga qielli si të tillë, për shkak se elitat politike në vend s’kanë pasur shumë ndryshim nga haremet osmane të mesjetës. Kanë qenë, siç thotë Shenasi Rama, jo elita, por KATUNDARIA. Por ç’faj kanë këta që kushedi ç’erë fryu për t’i futur në politikë, ku u bënë liderë qysh në adoleshencë, pikërisht atëherë, kur ende nuk e kishin fituar ende kafshoren e parë me djersën e tyre? Ç’faj kanë ata, nëse gjalpi dhe marmelata iu afruan në sofër që në shtrimin e parë?! Ashtu si balerinat u vinin vërdallë sulltanëve, edhe liderëve shqiptarë të tranzicionit iu patën ardhur rrotull mundësitë. A mundej sulltani të sfidonte tundimin dhe të mos prekte një çast kofshët e njoma e gjithë muskuj të biondinave, sa kohë i silleshin para hunde? Jooo! A mundeshin pashallarët tanë të pushtetit të mos hidhnin një firmë, prej së cilës do të rridhnin si gruri nga kombajnat disa miliona në xhepa. Sigurisht që jo! Sulltani ishte i lirë të prekte gjinjtë e fortë si fruta Dvorani të balerinave, njëlloj si elitarët e politikës te ne mund të preknin pa droje pasurinë kombëtare: si pengonte gjë të mbanin thellë nën astar një bllok, një laps e stilolaps për të bërë llogaritë në mes të bollëkut. Sepse i tillë ishte dhe është sistemi. Që të ndryshojë sistemi apo që më saktë të reformohet, duhet të ndryshojë perceptimi i shoqërisë. Dhe ky është problemi, sepse shoqëria jonë nuk e do ndryshimin. Pse? Ndoshta sepse në thelbin e vet ka diçka të shëmtuar, që është egoizmi. Aq më pak këtë gjë mund ta bëjë elita politike, të cilën, më shumë se çdo gjë, ndryshimi në tërësi, pra dhe ndryshimi i sistemit, e privon nga favoret, nga sulltanëria, nga epshet e fitimit dhe epshet e tjera. Frymëzimin dhe ndryshimin e perceptimeve që do ta çojnë shoqërinë drejt ndryshimit real të sistemit mbi të cilin duhet të funksionojë një shoqëri e qytetëruar, mund ta provokojnë vetëm intelektualët, mendjet e shquara dhe artistët. Por ku janë ata? A kemi ne mjaftueshëm të tillë, dhe nëse kemi, a janë ata në barrikada të organizuara strategjish për të udhëhequr ndryshime që qartazi nuk mund t’i udhëheqë një klasë politike e zvarritur në dështime fatale? Përgjigjja është e hidhur, si bari i zhumbricës. Nuk kemi. Shumë kanë marrë arratinë nga ky vend, të tjerët janë të papërkrahur, të pambështetur, të lënë enkas mënjanë zhvillimeve dhe politikës, mënjanë edhe larg, si kopsa në mëngë xhakete. Në Shqipërinë e tranzicionit ka pasur një strategji djallëzore, të ngjashme me atë të Enver Hoxhës, për t’i hequr elitës intelektuale mundësitë dhe rolin udhëheqës, që logjikisht duhet të kenë, dhe kjo është e shpjegueshme. Klasa politike shqiptare është mjaftueshëm mediokre për të pasur frikë, pikërisht nga ato çfarë i mungojnë dhe çfarë nuk mund të kenë, që janë: intelekti, vizioni, ndryshimi. Kjo mungesë i ka zhvilluar më tej egoizmin që thamë, një lloj egoizmi mesjetar, i cili, nëpërmjet militantizmit, ka rrjedhur e depërtuar thellë shoqërisë, në formën e një dëshire të munguar për ndryshim. Kjo gjë e ka degjeneruar situatën në një lloj plogështie sociale, ku askush nuk kërkon të ndryshojë asgjë dhe gjithkush është i gatshëm të besojë çdo gënjeshtër…
Top Channel