Riaplikimi për pasaporta, Braçe: Nuk është gabim, por shkelje e ligjit që u kushton 11.3 milionë euro shqiptarëve

17/08/2015 00:00

Një ditë pas kronikës problemore për parregullsi në printimin e pasaportave të fëmijeve transmetuar në Top Channel, ka reaguar nëpërmjet një komenti në Facebook deputeti socialist Erjon Braçe.

Që në fillim të komentit, Braçe nuk e quan një gabim teknik, por një shkelje ligji që sipas tij u kushton shqiptarëve 11.3 milionë euro.

Braçe thotë se kjo çështje, e cila po trajtohet si gabim teknik, ka ndodhur në harkun kohor Prill 2009-Korrik 2010, kur Ministrinë e Brendshme e drejtonte Lulzim Basha.
 
Braçe, duke iu referuar ligjit të pasaportave që thotë se “për shtetasit nën moshën 16 vjeç vlefshmëria e pasaportës është 5 vjet”, për këtë rast ata që kanë patur nën përgjegjësi prodhimin dhe shpërndarjen e të tilla pasaportave thotë se jemi përballë “shkeljes së ligjit, shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik”.

Braçe e ilustron dëmin ekonomik me një llogaritje kur thotë se “me çmimin 6.000 lekë të reja, për 156 mijë pasaporta, vlera arrin në 6.6 MILIONË EURO”.

Duke analizuar grupin e më të prekurve nga ky problem, që janë shumica fëmijë emigrantësh, Braçe shprehet se “ata për fat të keq vihen me vonesë në dijeni dhe mundësinë e vetme e kane kur vijnë në atdhe duke aplikuar me procedurë të përshpejtuar”, me çmimin 15.000 lekë të reja, për vetëm gjysmën e 156 mijë pasaportave, vlera e plotë e dëmit arrin në: 11.3 MILIONË EURO.

Përballë këtij dëmi, në mbi 11 milionë euro, Braçe thotë se ky “gabim teknik” nuk është një llaf goje.

“Janë shumë para’ për të folur për një gabim teknik”, thekson deputeti Erjon Braçe. Sipas tij, duhet përgjegjësi penale. Natyrisht edhe civile, shkruan ai në fund të komentit, pasi “nuk ka përse të paguaj gjithnjë qytetari për gabimet skandaloze të administratës dhe kontraktorëve të saj”.

Top Channel