Lëngjet e konservuara të frutave, pijet e gazuara apo ato energjike kthehen në shoqëruesit e njerëzve kryesisht në stinën e nxehtë të verës, me idenë se të ndihmojnë të “vrasësh” temperaturat e larta.

Studimet e fundit referuar këtyre pijeve tregojnë se, arsyeja kryesore pse ato kanë një konsum kaq të gjerë, është se njerëzit mendojnë rrugën më të shkurtër për t’i bërë ballë dehidratimit në ditët e nxehta, fundja duke shkuar në marketin më të afërt për të blerë një pije freskuese.

Por mjekët kanë ngritur alarmin në shkallën më të lartë referuar lëngjeve të konservuara dhe pijeve të gazuara, duke e krahasuar dëmin që ato i shkaktojnë organizmit në të njëjtën shkallë me atë të cigareve.

Ditët e fundit, në internet po qarkullon një video e Henry Hargreaves, i cili ka bërë një eksperiment me disa lloje të ndryshme pijesh të konservuara në kuti apo në shishe. Edhe pse fotograf në profesion, Henry është i dhënë pas ushqimit të shëndetshëm. Ndaj, ai donte të shihte se çfarë ndodh, nëse do t’i ziente lëngjet e konservuara. Rezultoi se, përfundimi nuk ishte aspak i këndshëm. Uji i tyre avullonte dhe koncetrati që ngelej nuk ishte asgjë tjetër, veçse sheqer i ngjyrosur dhe disa derivate të tjera.

Me sheqerin e pijeve, tashmë të kthyer në trajtën e një xheli, djali i eksperimentit vendosi të bënte disa lëpirëse, të cilat – sipas tij, – nuk kishin asnjë ndryshim me lëpirëset që ne blejmë nëpër supermarkete. Por, gjëja tjetër shokuese – thotë Henry Hargreaves, – ishte fakti se, nëse këto lëpirëse të formuara do t’i vendosje në kontakt me ujin, ato sërish do të formonin lëngun e mëparshëm të frutave, apo pijen e gazuar.

Pra, shkurtimisht, ky është sheqeri që ne i fusim trupit tonë vetëm me një nga këto shishe, lëngje të cilat ne shkojmë dhe i blejmë në dyqan me duart tona. Me këto fjalë e mbylli Henry eksperimentin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB