Rusia dhe NATO po kryejnë gjithnjë e më shumë stërvitje më të rënda ushtarake për t’u përgatitur në rast të një konflikti të mundshëm me njëra-tjetrën.
Por, sipas një raporti të Rrjetit të Lidershipit Europian (ElN), këto cilësohen si lojëra lufte të cilat më shumë gjasë do të provokojnë një luftë të vërtetë në të ardhmen.
Ky raport kërkon që të ulet doza e stërvitjeve ushtarake dhe në vend të tyre të nisë puna për një traktat të ri i cili do të kufizonte të gjitha llojet e armatimeve përgjatë kufirit.
“Çdo ushtrim shihet si provokim dhe ushqen te pala tjetër një mosbesim e paparashikueshmëri gjithashtu. Rusia dhe NATO po fokusohen në përgatitjen personale , por harrojnë se këtu ka një faktor risku të lartë. Politikanët duhet të tregojnë gjykimin e tyre politik , për të parandaluar në kohën e duhur ato që mund të jenë pasojat e rënda të kësaj stërvitjeje ushtarake”, deklaroi Ian Kearns, shefi i Rrjetit të Lidershipit Europian.
Raporti i EIN-it titullohet “A janë stërvitjet ushtarake të Rusisë dhe NATO-s një nxitës për luftën në Europë?” Ata analizojnë dy raste: Atë të shfaqjes së forcës nga ana e Rusisë me ane të një parade që u mbajt në mbarë vendin në muajin mars dhe ku morën pjesë një personel ushtarak prej 80 mijë trupash; Si edhe atë të Aleancës së Atlantikut të Veriut në muajin qershor kur 22 vende të NATO-s, demostruan fuqinë e tyre ushtarake në ajër , tokë dhe në det me 15 mijë trupa ushtarake.
“Të dyja këto raste tregojnë se secila palë ka një ide të qartë lufte në mendje – thuhet në raport – përderisa ata mund të zhvillojnë këto lloj operacionesh , madje edhe kur kundërshtarët e tyre janë hipotetikë”.
Por, sipas Rrjetit të Lidershipit Europian, natyra dhe shkalla e përgatitjes së tyre ushtarake tregon të kundërtën, se kundërshtarët janë real. “Rusia -thonë ata- po përgatitet për një konflikt me NATO-n, dhe NATO është duke u përgatitur për një konfrontim të mundshëm me Rusinë”.
Top Channel