Itali, 7 operacione shpëtimi gjatë së martës, 50 emigrantë të mbytur

12/08/2015 00:00

Rreth 50 emigrantë rezultojnë të zhdukur pasi një gomone u mbyt në Mesdhe, ndërkohë që sipas forcave të kërkim-shpëtimit nga Italia janë shpëtuar mbi 1500 të tjerë nga anije të papërshtatshme për lundrim gjatë 24 orëve të fundit.

Mesdheu është bërë zona ndërkufitare më vdekjeprurëse në botë për emigrantët. Më shumë se 2000 emigrantë dhe refugjatë kanë mbetur të vdekur deri më tani gjatë këtij viti, në përpjekje e sipër për të gjetur strehim në Europë pas udhëtimeve të pasigurta në ujëra të hapura, krahasuar me 3279 vdekje të regjistruara përgjatë gjithë vitit të kaluar.

Një helikopter i Marinës italiane pikasi gjatë së martës një gomone që dukej sikur po shfryhej, duke hedhur barka për shpëtim ndaj emigrantëve në bord. Gomonja u mbyt brenda pak minutash, ndërkohë që anija e flotës italiane, Mimbelli u nis menjëherë për në vendngjarje duke shpëtuar 52 emigrantë.

Të mbijetuarit thanë se kishin qenë rreth 100 veta në bordin e asaj gomoneje, duke bërë që thuajse gjysma e tyre të shpallen të zhdukur. Të shpëtuarit janë dërguar në ishullin italian të Lampeduzës.

Në total, gjatë së martës, Roja bregdetare italiane bëri të ditur se kishte koordinuar disa operacione, gjatë të cilave u shpëtuan mbi 1500 emigrantë, shumica e të cilëve u largoheshin zonave të luftës dhe varfërisë ekstreme në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, në plot 7 mjete të ndryshme lundrimi.

Top Channel