Rreth 2 mijë emigrantë tentojnë të kalojnë tunelin e La Manshit

28/07/2015 00:00

Rreth 2 mijë emigrantë janë përpjekur të hyjnë në tunelin nënujor në kanalin e La Manshit mbrëmjen e së hënës për të arritur në Britaninë e Madhe, ka bërë të ditur operatori “Eurotunnel”.

Zëdhënësi i kompanisë ka thënë se shumë persona kanë mbetur të plagosur në këtë tentativë.

“Eurotunnel” po përballet me një luftë të përditshme me emigrantët që përpiqen të kalojnë në mënyrë të paligjshme në Britani, shpesh me pasoja fatale për ta. Incidenti i fundit ka shkaktuar vonesa të shumta në shërbimin e trenit “Eurotunnel”.

Pasagjerët janë mbajtur për rreth një orë në anën britanike dhe rreth 30 minuta në anën franceze ditën e martë, njoftoi agjencia franceze e lajmeve “AFP”.

Ndërkohë, Sekretarja e Brendshme britanike, Theresa May ka njoftuar se është rënë dakord që Britania ta ofrojë edhe 7 milionë paund shtesë për të rritur sigurinë në tunelin e La Manshit. 

Tetë persona kanë vdekur këtë verë duke u përpjekur të arrijnë në Britaninë e Madhe përmes tunelit nënujor në Kanalin e La Manshit.

Një javë më parë pati vonesa në lëvizjen e trenave, pasi trupi i pajetë i një personi të dyshuar si emigrant është gjetur mbi një tren në terminalin në Folkestone, në Anglinë Jugore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA