HEC-et në zonat e mbrojtura, Rama: Ata që kanë nisur s’i ndalojmë dot, të reja nuk lejohen më

28/07/2015 00:00

Projektet për ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, ku nuk ka nisur ende puna, nuk do të lejohen nga qeveria, e cila do të paraqesë në Parlament një projektligj, që synon t’i japë fund abuzimit me HEC-et dhe minierat në zonat e mbrojtura.

“Janë 58 projekte HEC-esh në zonat e mbrojtuar, përveç atyre që janë ndërtuar apo atyre që janë në vazhdim, të cilave nuk kemi çfarë t’u bëjmë, sepse janë kontrata koncesionare të lidhura me qeverinë dhe, nëse i hedhim në erë me INUK-un, do të kishim fatura marramendëse për të paguar. Pra nuk na del llogaria. Por, të gjitha ato që nuk kanë filluar, nuk do të ndërtohen më. Projektligji ndalon përfundimisht çdo lloj institucioni që të përfshihet në dhënie të drejtash për shfrytëzim të pasurive natyrore në zonat e mbrojtura”, tha kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur shqetësimeve të komunitetit dhe shoqërisë civile, u ndal edhe te rrjedha e lumit Vjosë, ku tha se nuk do të lejohet ndërtimi i HEC-eve, siç ishte parashikuar nga qeveria e mëparshme.

“Ne kemi një plan tjetër për Vjosën, atë të parkut natyror. Dhe, sigurisht që nuk mund të kthejmë mbrapsht hidrocentralet që janë në ndërtim, por që nga Kalivaci e lart ne nuk do të lejojmë më të ndërtohet asnjë hidrocentral”, deklaroi Edi Rama.

Një tjetër shqetësim i ngritur në takim është fakti se, shumë subjekte që zotërojnë licencë në sektorin minerar nuk kryejnë rehabilitim mjedisor siç parashikon ligji.

“Nga 40 km katrorë të licencuar për këtë qëllim, aktualisht vetëm 3 km apo 4 km katrorë – ose 10% e kësaj sipërfaqeje – i është nënshtruar procesit të prodhimit. Nga kjo, vetëm 1.5% e saj është rehabilituar dhe faktet flasin vetëm për 13 subjekte, që kryejnë këtë detyrim ligjor”, tha ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

“Së shpejti do të dalë edhe VKM-ja (Vendimi i Këshillit të Ministrave) për rehabilitimin e pjesshëm mjedisor, që çdo aktivitet minerar të ketë garancitë të bllokuara, në mënyrë që të reduktohet në mënyrë të pjesshme, ose ta bëjë subjekti minerar, ose këtë gjë do ta bëjë institucioni shtetëror”, tha ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.

Ministria e Mjedisit propozoi që të bëhen ndryshime në Kodin Penal dhe në të të përfshihet edhe krimi mjedisor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA