Nga Rezart Cenaj – Ideologjia e reklamave, në përgjithësi, nuk ndryshon nga ajo e regjimeve totalitare si, për shembull, ai nazist. Dhe, veçanërisht, nga vizioni i njeriut që ndodhej mbrapa propagandës së Hitlerit, Leni Riefenstahl.
Meshkujt kanë trupa muskulozë të definuar, ndërsa femrat, janë bionde me gjoks të madh. Të gjithë buzëqeshin dhe bien dakord me njëri-tjetrin, çfarë do që të ndodhë. Vendet janë gjithmonë të njëjtat. Qytete të bukura dhe të pastra, peizazhe me diell, vende ekzotike të botës së tretë ku vendasit e lumtur u shërbejnë me mirësjellje të bardhëve të kulturuar e të zgjuar (ish kolonizatorë).
Posterat të kujtojnë ato të realizmit socialist sovjetik, kinez apo korean. Por, mbi të gjitha, reklamat zbatojnë një slogan të ngjashëm me atë të reparteve speciale asgjësuese ushtarake si “lumturia është detyrim” apo “lumturia është liri”.
“Oh, sa bukur është të jesh 20 vjeç, të ngasësh një 4×4 deri në skajin e botës dhe të zhytesh në ujin që shndrin, duke pasur në krah vajza të bukura me buzëqeshje flakëruese”, citon Oliviero Toscani, i njohur si krijuesi i fushatave provokuese të marketingut të Benetton.
Dhe si mos jesh i lumtur kur je i ri, me makinë të re dhe dy-tre top modele bionde që bëjnë çdo gjë për të ngrënë kos? A nuk është e ndërtuar bota në mënyrë engjëllore?
Ashtu sikurse edhe regjimi nazist. Ata të cilët devijojnë nga modeli arian, nuk kanë vend në botën e reklamave.
Ata që nuk janë të shëndetshëm, nuk kanë para, nuk kanë një familje të mrekullueshme, nuk janë produktivë… nuk janë konkurrentë. Të pastrehët, refugjatët, të gjithë ata që janë humbës dhe mbipeshë, thjesht nuk ekzistojnë. Nëse shfaqen, do të jetë për t’u tallur me ta. Bazuar në stereotipa.
Mashkulli homoseksual paraqitet si një karikaturë e një “motre” që merret vetëm me dizajn dhe ngjyra. Gruaja e mbushur merret si aseksuale, qesharake, që nuk mund t’u rezistojë ëmbëlsirave. Krejt ndryshe nga top modelja bionde me linja perfekte që ha vetëm kos.
Ata që banojnë në zona rurale konsiderohen të trashë, të pazhvilluar, budallenj (kujtoni reklama të kompanive të telefonisë celulare).
Italianët ushqehen vetëm me pica, ndërsa irlandezët bërtasin kafshërisht dhe pinë Guinness. Të varfrit luajnë futboll nëpër lagje?
Kjo botë e ndritshme dhe e rreme e euforisë së përjetshme qëndron përballë botës reale të zbuar dhe të shkatërruar nga kompanitë e marketingut.
Këpucët që do të bëjnë të hidhesh lart si LeBron janë prodhuar nën një regjim pune skllavërore në fabrikat aziatike, shpesh nga fëmijë që mbrëmjeve u shërbehen turistëve.
Telefonat e zgjuar (smartphone) janë ndërtuar nga njerëz që kurrë nuk shkojnë në shkollë apo universitet, që të bëhen të zgjuar si ne.
Lista e krimeve politike, sociale dhe ekologjike të kryera në Afrikë nga kompanitë e naftës (Shell, BP, Total, etj.) mbulohen nga reklama për benzinën 100 oktanë, “më shpejt, më lirë, më pastër se kurrë“.
Shkatërruesit më të mëdhenj të mjedisit si industritë kimike, ashtu si edhe ato të minierave, subvencionojnë festivale ekologjike “sepse ne kujdesemi”.
Sporti është lavatriçja më e madhe e larjes së parave të zeza, ndërsa pronarët e skuadrave të mëdha blejnë popullaritetin duke tundur flamurin e skuadrës (Berlusconi). Në ngjarjet sportive ndërkombëtare (shikoni se çfarë ndodh në Katar) sponsorët e mëdhenj zyrtarë (Coca Cola, McDonalds etj.) investojnë dhe reklamojnë produktet e tyre duke falur çdo shkelje sociale, njerëzore apo shkelje të të drejtave të punëtorëve.
Dhe atleti me dopping del i pari pasi ka veshur Adidas ose Nike.
Përpara disa vitesh, në ngjarjen Grand Prix në Monako u shfaq në ekran e njëjta markë cigaresh 1134 herë, ndërkohë që reklamat e cigareve (duhanit) ishin të ndaluara në TV. Meshkujt ngasin makina të shpejta dhe pinë Marlboro.
Në një pjesë të mirë të emisioneve televizive, reklamat inkorporohen në program, në mënyrë që konsumatori të mos mundet t’i shmangë duke ndryshuar kanal. Në kinema ndodh e njëjta gjë. Shpesh, producenti i kërkon skenaristit të modifikojë skenarin për të trupëzuar në të promovimin e produktit të reklamuar. Nuk u duket e çuditshme që të gjithë protagonistët kinematografikë përdorin Apple? (Dhe sigurohen të na e tregojnë.)
Akoma edhe nëpër shkolla ka arritur të depërtojë reklama duke marrë formën e programeve edukative. Në Francë, 60 mijë vajza adoleshente u informuan në orën e mësimit për trupin dhe shëndetin e tyre nga një program edukativ i sponsorizuar nga kompania Tampax. Sigurisht që, ato mësuan shumë për produktet Tampax.
Diku lexova këtë citim: do të vijë një ditë kur mësuesi do të thotë në klasë se ora e mësimit të matematikës mundësohet nga Sony Play Station dhe pushimi ndërmjet orëve, nga Red Bull, që të bën më krahë.
Nga ana tjetër, shpesh kemi kompani që prodhojnë si për marka shumë të njohura, ashtu edhe për “marka të bardha”. Pra, për shembull, një fabrikë makaronash prodhon si për Barilla ashtu edhe makarona Carrefour, me të njëjtën cilësi, por me diferencë të madhe çmimi. Nëse kur blejmë një produkt, çfarë paguajmë atëherë?
Në vitin 2014 në SHBA janë shpenzuar gjithsej në reklama 180 miliardë dollarë, sa 50% e borxhit të Greqisë përpara referendumit. Në Europë janë shpenzuar 31 miliardë dollarë, sa borxhi i jashtëm i Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnjës, Algjerisë dhe Moldavisë bashkë.
Europa Perëndimore dhe SHBA së bashku, kanë harxhuar në reklama në vitin 2014 sa 2/3 e borxhit të jashtëm të Afrikës.
E gjithë kjo shumë paguhet nga konsumatori. Reklama është tatimi më i madh indirekt.
Nuk është se reklamat ndikojnë në jetën tonë… e kontrollojnë plotësisht atë! Në çdo moment jemi të bombarduar ose, ashtu siç thotë Yves Fremion titullin e esesë së tij pjesë e librit “The Black Book of Capitalism”, “Një reklamë vlen sa një mijë bomba”.
Gjithçka njohim, gustot tona, shoqëria në përgjithësi, nuk janë asgjë tjetër përveçse pasqyrimi i çfarë reklamat na kanë gdhendur në kujtesë. Prototipat që kemi për bukurinë, aspiratat dhe nevojat tona… të gjitha janë të programuara që të jenë kështu. Duket surealiste por, në fakt, gjithçka është rezultat i këtij manipulimi idiot, por efektiv.
Atë që mund të bëni tani është, të hapni televizorin dhe të shijoni “falas” reklamat që keni paguar.
Gazeta “Shqip”
Top Channel