Lufta kundër korrupsionit, Lumezi pret Zhbogar; prezanton strategjitë

22/07/2015 00:00

Kryeprokurori i Shtetit në Kosovë, Aleksandër Lumezi ka pritur këtë të mërkurë në një takim pune përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar.

Në këtë takim u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohet dikasteri i Prokurorit të Shtetit, për luftimin e korrupsionit, krimeve ekonomike dhe kriminalitetit në përgjithësi.

Lumezi njoftoi Zhbogar se, sfidë kryesore e institucionit të tij mbetet luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar dhe sigurimi i kushteve adekuate për funksionimin sa më të mirë të këtij sistemi.

Gjithashtu, kryeprokurori njoftoi se nga 1 qershori ka hyrë në fuqi strategjia për reduktimin e lëndëve në prokurori, e cila do të ndihmojë jo vetëm prokuroritë në reduktimin e numrit të çështjeve, por edhe gjykatat, pasi do të mund të përfundojnë nga aplikimi i procedurave alternative.

Ndër të tjera, në këtë takim u diskutua për reformën në arsimimin ligjor dhe projekte të tjera të binjakëzimit për luftimin e dukurive negative.

Nga ana e tij, Zhbogar përgëzoi kryeprokurorin Lumezi duke vlerësuar se, hapat e parë të ndërmarrë prej tij janë mjaft premtues. Gjithashtu, ai shtoi se BE-ja do t’i ofrojë mbështetje sistemit prokurorial të Kosovës.

Top Channel