Pas marrëveshjes së të hënës mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi ngriti në seancën e kësaj të enjteje Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Cili është thelbi i kësaj reforme? A do të zgjidhë kjo reformë problemin e korrupsionit dhe të përmbushë pritshmëritë e partnerëve ndërkombëtarë, por sidomos pritshmëritë e qytetarëve, besimi i të cilëve tek drejtësia në këto vite të tranzicionit është mjaft i ultë?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve iu përgjigj kreu i Komisionit të ngritur rishtazi dhe deputet i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj përballë një paneli analistësh në Top Story-n e kësaj të enjteje me gazetarin Sokol Balla.
Duke saktësuar mënyrën e funksionimit të komisionit, Xhafaj tha se sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, Komisionet e Posaçme funksionojnë njësoj si komisionet e tjera parlamentare, me të vetmin ndryshim që kanë një afat kohor dhe një objekt të caktuar.
“Komisioni i Posaçëm nuk ka rol thelbësor në proces, është më shumë një mundësi, një hapësirë kushtetuese dhe proceduriale parlamentare për t’i dhënë mundësi ekspertëve për të punuar. Bëhet fjalë për t’u dhënë hapësirë ekspertëve dhe në këtë rast është zgjedhur kjo qasje për arsyen se, nëse ka një reformë ku politika duhet të heshtë, ajo është reforma në drejtësi”, tha Xhafaj.
Më tej, deputeti socialist fajësoi klasën politike ndër vite për katandisjen e sistemit të drejtësisë në këtë gjendje që është sot.
“Nëse ne sot flasim për një drejtësi që ka probleme me pavarësinë, me llogaridhënien, eficencën, transparencën, korrupsionin dhe në të gjitha këto politika ka përgjegjësinë parësore. Këtë situatë nuk e kanë krijuar qytetarët, këtë situatë e ka krijuar politka dhe politika në këtë rast ka mësë paku detyrimin që të heshtë dhe duhet të kërkojë një falje për gjendjen ku jemi. Përgjegjësia është në vite dhe është e gjithë klasës politike që ka drejtuar vendin”, u shpreh Xhafaj.
Për kreun e Komisionit shembulli tipik për këtë është marrëveshja për ndryshimet e Kushtetutës në 2008-n.
“Çdolloj ndërhyrje e politikës në këtë proces, do të sillte ato që ka sjellë ndër vite dhe shembull klasik është ai i 2008-s, kur politika u dashurua marrëzisht dhe bëri atë që nuk do të duhej të bënte kurrë, e që nuk mund të bëhej, miratoi pa asnjë proces dhe brenda 2 javësh u bënë një sërë amendimesh kushtetuese që prishën balancat e raporteve mes pushteteve ”, u shpreh ai.
Xhafaj tha se politika nuk mund të pastrojë drejtësinë, e kundërta mund të ndodhë. Ai ndau gjykatësit në disa kategori.
“Kjo nuk është një betejë me njerëzit, është një betejë me fenomenin në sistem, me sistemin vetë. Sistemi ka përveçse ka në radhët e tij njerëz të paaftë, me gjyqtarë që kanë probleme me arsyetimin e vendimit, me pak fjalë, që nuk dinë të shkruajnë. Kjo do mjaftonte për të thënë turp. Pa shkuar tek korrupsioni, që sot është një mënyrë të jetuari në gjykatë. Quhet gjyqtar i mirë ai që e pranon ryshfetin, i korruptuar quhet ai që vë taksë për gjyqin, ndaj palëve, që përcakton çmimin e drejtësisë. Pra ryshfeti quhet normalitet. Ka tri kategori gjyqtarësh, gjyqtarë të ndershë, që jetojnë me rrogën e tyre, me këtë mundësi që u është dhënë. Për fat të keq janë pakica dhe janë djem e vajza të shkolluara që kanë dalë kryesisht nga magjistratura dhe që kanë një formim të avancuar. Ka gjyqtarë që të gjendur pjesë e këtij sistemi, janë bërë pjesë e të keqes dhe nuk kanë forca, ka edhe një pjesë, që është më e keqja që këtë e kanë kthyer në një ndërmarrje fitimprurëse, që është ndërmarrja më fitimprurëse në historinë e biznesit. Kjo kategori nuk ka as para dhe as mend, por janë taksidarë të së drejtës. Kjo kategori nuk duhet të rrijë më në sistem. Këta njerëz që nuk dinë të shkruajnë, dhe ata që janë të korruptuar nuk duhet të jenë më në sistem”, tha Xhafaj.
Më tej deputeti socialist shtoi se reforma bëhet për sistemin, për Gjykatën e Lartë që e ka të vështirë të funksionojë, që është kthyer praktikisht në një gjykatë fakti. Kritikat më të forta të Xhafajt shkuan për institucionin e Prokurorisë.
“Prokuroria sot është e dorëzuar, e dorëzuar para krimit, korrupsionit. Prokuroria sot është një institucion apatik. Nuk flitet më për hetime, por flitet me prokurorë që nuk kanë kurajo që ta çojnë një çështje në gjyq, përveçse një pjesë janë të korruptuar e kanë edhe lidhje të dyshimta kriminale dhe korruptive. Nuk janë të gjithë prokurorët kështu, por që i mund klima dhe mekanizmat e sistemit”, sqaroi ai.
Xhafaj paralajmëroi ndryshime të Kushtetutës edhe sa i takon funksionimit të KLD-së, madje edhe të institucionit të Presidentit.
“Këtu ka një rol të madh KLD dhe ky do të jetë një proces që do ta shikojë sistemin nga pikëpamja e ndryshimeve kushtetuese, edhe nga pikëpamja e ndryshimeve ligjore”, shtoi ai.
Deputeti socialist shtoi se procesi për reformën në drejtësi nuk ka nisur së fundmi, por ka kohë. Për këtë ai përmendi tryezat dhe forumet e diskutimit të mbajtura disa herë, ku veç politikanëve dhe përfaqësve të sistemit të drejtësisë, kanë marrë pjesë edhe aktorë të shoqërisë civile dhe njohës të jurisprudencës.
“Në thelb të gjithë këtij procesi janë ekspertët dhe ne kemi sot një grup ekspertize me 24-25 ekspertë vendas dhe ndërkombëtare. Ekspertët vendas janë përfaqësues të Gjykatës së Lartë, nga Kushtetuesja, Prokuroria, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, bota akademike dhe ekspertët ndërkombëtare të BE-së, pjesë e Euralius-it”, sqaroi Xhafaj.
Reforma bazohet në shtatë shtylla kryesore, ku për secilën punon nga një grup pune.
“Janë çështjet kushtetuese, gjyqësori, drejtësia penale, arsimi juridik, profesionet dhe shërbimet e lira, financimi dhe masat antikorrupsion brenda sistemit”, tha kreu i Komisionit të Posaçëm Parlamentar.
Synimi i mazhorancës është një ndërhyrje e thellë në Kushtetutë për të reformuar gjithë sistemin.
“Ka dy ndërhyrje, ose një makiazh, ose një operacion”, u shpreh Xhafaj, duke shtuar se politika duhet përjashtuar nga ky operacion, pasi është vetë shkaktarja kryesore e problemit.
Xhafaj tha se ndryshime do të ketë tek gjyqësore, veçanërisht në forcimin e Gjykatës së Lartë dhe kthimit të saj në një gjykatë të mirëfilltë të lartë. Ndryshimi tjetër, tha ai, do të jetë tek Prokuroria dhe për këtë po shqyrtohen kryesisht dy variente; i pari për të qenë e pavarur siç është aktualisht, apo për të qenë pjesë e një këshilli të magjistraturës. Ai tha se këtu ka një debat të madh. Sipas tij, Prokuroria sot është në problem të madh, një organ tejet i centralizuar.
“Prokurori nuk është i lirë që në sistem, përveçse është i varur së brendshmi”, tha Xhafaj duke shtuar se po shqyrtohen edhe raportet që do të ketë Prokurori i Përgjithshëm me prokurorët e tjerë.
Deputeti deklaroi se po studiohet edhe një mundësi për të pasur një Këshill të Lartë të Drejtësisë, i ngjashëm si ky aktuali, por i ndarë me dy dhoma, një për gjyqtarët dhe një për prokurorët. Lidhur me kontrollin e KLD-së, Xhafaj përmendi një propozim për krijimin e një inspektoriati të pavarur disiplinor, i ndërtuar nga njerëz që janë në fund të karrierës së tyre profesionale.
Kreu i komisionit tha se do të synohet për të ndryshuar i gjithë sistemi i vlerësimit, por edhe statusi i gjyqtarit.
“Gjyqtarët duhet të bëjnë tre teste, atë profesional, integritetit dhe testin psikologjik”, u shpreh Xhafaj.
Në pjesën e tretë, kreu i Komisionit të Posaçëm vlerësoi se opozita nuk ka shfaqur asnjëherë qëndrim kundër reformës.
“Opozita është në komision dhe ata e kanë të qartë se nuk mund të vazhdohet më me këtë situatë. Roli i tyre është i qartë qoftë nga pikëpamja politike, qoftë edhe nga nevoja për konsensus. E vërteta është që nuk ka një qëndrim refraktar të Bashës ndaj procesit. Basha nuk ka deklaruar asnjëherë ku paragjykon procesin. Nuk ka sot një deklarim të Bashës që shkon kundër procesit. A ka një qasje tjetër të opozitës? Kjo mbetet për t’u parë, por deri më sot opozita ka thënë që është dakort për reformën në drejtësi dhe që duhen ndryshime”, tha Xhafaj.
Për këtë, sipas deputetit socialist, opozita ka vendosur një kusht; certifikimin nga partnerët ndërkombëtarë.
“Kjo do të thotë që nëse ky produkt certifikohet nga ekspertiza ndërkombëtare, opozita ka thënë që do ta votojë”, tha Xhafaj.
Në fund, deputeti socialist premtoi se reforma në drejtësi do të trondisë gjithë sistemet, jo vetëm atë të drejtësisë.
“Kjo reformë është një tërmet edhe për zyrtarët, edhe për politikanët, nuk është vetëm për gjyqtarët”, tha ai.
Top Channel