Ripajtimi dhe reforma e kërkuar nga BE

14/07/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Kryeqyteti ynë këtë dhjetëditësh pati një cikël vizitash të rëndësishme diplomatike dhe takimesh të nivelit të lartë politik.

Është ndoshta një numër nga më të lartët, ikje-ardhjesh të krerëve të diplomacisë europiane dhe asaj amerikane, si dhe institucioneve europiane që pasojnë takime dhe biseda me krerët e politikës së Shqipërisë. Aq sa në një mënyrë të drejtpërdrejtë, kjo axhendë tejkalon të domosdoshmet takime që i nevojiten Greqisë fqinje në pikun e krizës së saj të ekzistencës ose jo më tej në eurozonë. Ky fluks vizitash të krijon perceptimin dhe njëkohësisht dyshimin, se kemi të bëjmë me një shqetësim apo me një përkujdes diplomatik ndërkombëtar ndaj Shqipërisë?

Politikëbërësit dhe vendimmarrësit e vendit gjatë kësaj jave patën vizita të shumta dhe një axhendë të ngjeshur takimesh me përfaqësues të rëndësishëm të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Problemet e eurozonës janë pashmangshmërisht në mos shqetësime edhe rreziqe për rajonet që kanë ambicien dhe gjenden në rrjedhën e integrimit shumëvjeçar europianist.

Vizita e Kancelares gjermane Merkel në Tiranë, si pjesë e turit të saj në Ballkan, mbart padyshim jo vetëm jehonën e madhe, por edhe një kumt politik e diplomatik, i cili do të dojë ende kohë për t’u lexuar i plotë. Ndërsa katër ditë më pas, presidenti i Parlamentit Europian, zoti Martin Schulz, në takimet me Kryeministrin Rama, Kryetarin e Parlamentit, Meta, dhe Presidentin Nishani deklaroi qartazi qëllimin e sjelljes së dy mesazheve përmes kësaj vizite institucionale në adresë të protagonistëve politikë shqiptarë. Këto dy mesazhe, sipas tij, lidhen me ndërtimin e demokracisë dhe ripajtimin. Paraardhësja e tij në Tiranë, Kancelarja Merkel, kërkoi prerazi vendosjen e stabilitetit juridik në vend. Mesazhet e zotit Schulz dhe zonjës Merkel përbëjnë një linjë të përbashkët këmbënguljeje nga BE-ja ndaj udhëheqësisë sonë politike. Mesa duket po rikthehet në rend të ditës nevoja për demokracinë dhe drejtësinë ligjore. Të dyja këto natyrisht që kalojnë përmes ripajtimit dhe mishërohen përmes reformës në drejtësi.

Po ç’kuptohet me ripajtim? Pse e sjell zyrtarisht si mesazh të vetin Presidenti i Parlamentit Europian për politikëbërësit e vendit?

Natyrisht një kërkesë e tillë vjen në momentin e duhur. Ajo ngjet në kushtet kur opozita jonë politike është në fillesë të një procesi të vështirë reformimi dhe e lidhur në fije të dukshme dhe të padukshme pengesash të brendshme dhe autoritetesh. Nuk është jashtë kontekstit as mirëkuptimi i arritur mes pozitës dhe opozitës për reformën në drejtësi, e cila duket se me një delikatesë është monitoruar dhe negociuar nga faktori institucional ndërkombëtar për t’u bërë realitet i sipërmarrë. Pranimi dhe ulja e dy palëve në tryezën e reformës për drejtësinë, pas pranimit të parimit të paritetit, parathotë një subjekt të ri marrëdhëniesh mes pozitës dhe opozitës. Se sa do të jetë e qëndrueshme dhe si do ta pasojë komunikimin dhe marrëdhënien politike në skenën e vendit, kjo mbetet për t’u parë. Në tekstin e europianëve, kjo marrëdhënie cilësohet si “ripajtim”, ndërkohë që sfida e reformës në drejtësi nuk është thjesht e lidhur me një paketë ligjesh apo rikompozim të strukturës drejtuese të sistemit të drejtësisë në vend. Kjo reformë ka të bëjë me triumfin e ligjit mbi pabarazinë e trashëguar gjatë tranzicionit. Sipërmarrja politike, e kërkuar me rigorozitet nga ndërkombëtarët dhe e shndërruar në axhendë të pandryshueshme për vendimmarrësit tanë, natyrisht do të hasë në pengesa dhe nyje të ndryshme. Vullneti aprovues që deklamohet në foltore prej protagonistëve politikë është i lidhur me një vullnet dhe ndërgjegje refuzuese të padeklaruar të tyre. Provat e zhgënjimit prej protagonistëve tanë janë të vjetra. Ndërsa ripranimi është një kapitull i ri. Kjo e vërtetë është evidente sa vetë përgjigjja sofiste e Kryeministrit për reformën në drejtësi, e cila, sipas tij, “do bëhet ose do bëhet …”!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA