Sytë e të gjithë grekëve ndodhen orët e fundit në Bruksel, ku prej orës dy pas mesdite është në zhvillim samiti më i rëndësishëm i Ministrave të Financës së Eurozonës me temë kryesore shqyrtimin e propozimeve që ka sjellë qeveria greke, e cila kërkon në këmbim një paketë të tretë ekonomike për t’i shpëtuar falimentimit dhe daljes nga zona e monedhës së përbashkët.
Por, sipas informacioneve nga Brukseli, duket se partnerët e Greqisë kërkojnë akoma më shumë masa shtrënguese nga ato që ka sjellë Athina, pasi ekziston tashmë një mungesë besimi nëse qeveria greke do të mund të zbatojë reformat që premton.
Gjithashtu, një ngërç i krijuar çastet e fundit është fakti se parlamenti finlandez nuk i jep të drejtën e negocimit ministrit të vet të Financave, duke bllokuar përkohësisht procedurën dhe duke rrezikuar seriozisht fatin e negociatave.
Ndërkohë, reagime të mëdha ka sjellë publikimi i një artikulli në gazetën gjermane ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’, sipas të cilit ministri i Financave Shcauble posedon një plan për daljen për të paktën 5 vjet të Greqisë nga Eurozona. Për këtë plan thuhet se ka pasur dijeni edhe kancelarja gjermane Merkel si dhe zv/kancelari Zigmar Gabriel, të cilët janë në të njëjtën gjatësi vale.
Por, sipas burimeve nga Komisioni Europian dhe nga qeveria greke, ky plan asnjëherë nuk është hedhur në tryezën e bisedimeve, ndërsa thuhet se për të ka pasur dijeni edhe qeveria e Finlandës si përkrahësja më e madhe e Gjermanisë.
Ndërkohë që Athina ndjek me ankth zhvillimet, shtohen zërat se pasi të arrihet marrëveshja, kryeministri Tsipras do të reformatojë qeverinë së shpejti, ndërsa nëse do të shohë që do të humbasë edhe më shumë mbështetjen e anëtarëve të partisë së tij, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në muajin shtator.
Top Channel