Nga Aleksandër Çipa – Një konstatim tronditës i Kancelares Merkel këtë mesjavë në Tiranë, nuk ka shkaktuar aspak tronditje për mediat dhe opinionin publik. Në fakt, konstatimet e kanë humbur vlerën këtu, sikundër skandalet janë bërë normalitet. Kancelarja gjermane në prani të autoriteteve të larta të vendit dhe të përfaqësuesve të elitës qeverisëse të vendit u shpreh: “Shqipëria nuk ka stabilitet juridik”.
Është pohim tronditës për një shoqëri që pretendon se jeton në demokraci dhe në të ashtuquajturin shtet ligjor. Por në realitetin në të cilin jeton ky vend, pra në rrëmujën e vetvetes, ku drejtësinë e ka konvertuar si në “Fermën e kafshëve” të Oruellit në zhdrejtësi, kësi konstatimesh nuk bëjnë përshtypje.
Një pohim i tillë i politikanes që kryeson qeverisjen dhe perspektivën e trazuar të Europës së sotme, në të vërtetë përbën të thënën reale. Pohimin e së vërtetës më themelore që mund të karakterizojë këtë Shqipëri, në të cilën hajdutëria funksionon tmerrësisht më me vitalitet sesa qëndrimi moral dhe reagimi shoqëror. Këto dy të fundit, janë aspekti më i munguar dhe i zhvleftësuar i sjelljes së shqiptarëve dhe banorëve të kësaj republike.
Po le të shpjegojmë se për cilin “stabilitet juridik” e ka fjalën Kancelarja Merkel? Për të qenë korrekt duhet thënë se krejt e sotmja shoqërore dhe sjellja institucionale në vend përbëjnë brendinë dhe imazhin e instabilitetit juridik të Republikës së Shqipërisë. Komedia më e freskët karakterizuese dhe ilustruese le të sillet nga çështja më e fundit.
Le ta nisim nga ajo me më pak ndikim në vëmendjen e këtij opinioni, por që fatkeqësisht ka të bëjë me median në këtë vend, dhe sidomos me atë të keq-quajtur Publike. Le të sjellim pak në vëmendjen e lexuesit të ashtuquajturin proces të zgjedhjes së drejtuesve të RTVPSH-së nga Këshilli Drejtues i zgjedhur pas një odiseje gati dyvjeçare dhe që kryesohet nga një jurist me CV e përvojë të pakrahasueshme.
Është i gjithi ky proces një kampion i shkëlqyer, për të parë se sa i zhvlerësueshëm është ligji, qoftë ky edhe i konsultuar apo mbikëqyrur nga institucionet dhe diplomatët që gllabërojnë milionat e taksapaguesve europianë, në emër të misioneve dhe nëpunësisë së rekrutuar për përfaqësim të OSBE-së apo të BE-së, KE-së apo kujtdo tjetër.
Pasi nuk kanë bërë dot shtatë vota të anëtarëve të Këshillit të ri Drejtues për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm të RTSH-së, befas ngrihet ish-kolegu Fred Peza, nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Media dhe Informim, e pohon se do të ndryshojë ligjin. Si mund të ndodhë kjo? Si mund të rrëzosh kaq lehtë e kaq thjesht një ligj, për të cilin këto mender palë politike, humbën gati një mandat të shkuar parlamentar gjersa ia dolën ta miratonin! A nuk është kjo një provë tronditëse për instabilitetin dhe destabilitetin juridik e institucional të mëtejshëm në këtë fushë?
Por kapitujt më komikë e më tronditës të këtij destabiliteti juridik, në këtë republikë, nisin më thellë në kohë. Në autorësi të tij qëndrojnë emrat autoritarë të këtij tranzicioni nën kryesimin e “të vjetrit sa deti” në këtë Parlament, ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Pas tij vijojnë emrat që kanë shkëmbyer postet e qeverisjes dhe vetë qeverisjen, gjer te Kryeministri i tanishëm, Rama.
Në këtë Shqipëri, arti i gjenerimit të zhdrejtësisë, mbart bashkëpunimin e sofistikuar dhe gjithë kompromiset e paskrupullta, mes politikës dhe sistemit të pasistemuar të drejtësisë. Nuk është e tepërt të kujtojmë se konflikti kronik për drejtimin dhe sjelljen e KLD-së nuk ka të bëjë vetëm me kohën e mandatit presidencial të Bujar Nishanit. Sa herë është ricikluar ky konflikt mes qeverive dhe institucionit, mes shumicës dhe opozitës vendeshkëmbyer, në Parlamentin e këtij vendi?!
Historia e paqëndrueshmërisë juridike është thelbi i shtetit tonë sharlatan dhe i kulturës së shtetarëve dhe shtetarësisë në këtë vend. Në mënyrë të veçantë, ky është thelb i historisë ligjbërëse dhe institucionale gjatë 24 viteve të fundit. Ky destabilitet i ka pasur të plota pasojat dhe shembjet, rreziqet dhe ikjet nga ligji dhe shteti ligjor. Koha e ndryshimeve kushtetuese në këtë vend ka qenë më e shpeshtë se të gjitha vendet e rajonit.
Madje turpësisht nuk krahasohemi as me Kosovën e cila ende është në fatin e imponuar të preambulës kushtetuese të formuluar më së shumti nga ish-UNMIKU. Ky sharlatanizëm i tranzicionit i dha kastës sonë politike mundësinë të teatralizojë qëllimin dhe sidomos demokracinë, të shndërrojë në sallë komedish Parlamentin e vendit dhe të ulë në karriget e përfaqësimit parlamentar figura dhe personazhe, të cilët do t’i kishte zili çdo shkollë e lolove dhe sidomos vagabondëve në Europën e tre shekujve të shkuar.
Kancelarja gjermane, Merkel, nën detyrimin për të sqaruar opinionin publik të shoqërive të trazuara dhe me diferenca thelbësore në Ballkanin Perëndimor, për rolin e ri që ka vendi i saj për demokratizimin dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik, nuk mund të mos bënte diferencën për Shqipërinë.
Ky vend ku historia e freskët 20-vjeçare i ka përfshirë gjithë llojet e destabiliteteve, së fundi ka mbetur i mbërthyer nga destabiliteti juridik. Por nga kthetrat e kësaj paqëndrueshmërie juridike, kurrsesi nuk mund të na nxjerrë as ulja në Parlament e pozitës me dy koka dhe opozitës me një kryetar pa këmbët në tokë e një kryeplak me moshën në kokë(!)
Nga kjo paqëndrueshmëri na nxjerr vetëm ikja nga sharlatanosistemi i demokraturës dhe tranzicionit.
Stabiliteti juridik nis të instalohet kur sistemi nuk komandohet dhe nuk arnohet nga politikanët, por kur këta të fundit bëhen dhe sillen si qytetarët më të bindur të tij dhe ndihen pashmangshmërisht si më të bindurit e tij. Në këtë stabilitet juridik, Shqipërinë e kthen vetëflijimi i një kaste të munguar drejtësidhënësish dhe ligjbërësish.
Këto janë dy kategoritë e munguara në historinë politike të Shqipërisë së mender demokracisë. Ndërkaq, brenda dhe ende në këtë periudhë pa formë e kryedalje, e kemi vështirë të gjejmë heronj të drejtësisë dhe protagonistë të rebelimit proligjor. Le ta mbyllim e braktisim këtë periudhë, pasi nuk na vlen e nuk ka asnjë arsye të qëndrojë ende në të sotmen e kësaj shoqërie!
Nënshtrimi i skotës së nëpunësisë së gjyqësorit, organeve të akuzës dhe krejt hallkave të këtij sistemi, ndodhi dhe vijon të ngjajë, pikërisht qysh atëherë kur kryearkitektët e kësaj periudhe vranë, siç mund të shprehej Herbert Spencer, “besëtytninë e madhe politike, pra të drejtën hyjnore të Parlamentit”. Shndërrimi i kësaj besëtytnie në fuqi për të kapur ligjin dhe shtetin dhe “në të drejtë” për sundim, e futi republikën tonë të sotme në kohën pa kufi të paqëndrueshmërisë juridike. Mos jetofshim më gjatë nën ‘të!
Top Channel