Halit Krasniqi – Para se të bëhej Kosova e lirë dhe shtet i pavarur, në përpjekjet për ta bërë të tillë Kosovën, si shumica e qytetarëve të Kosovës, kam përjetuar shumë çka të keqe në mënyra të ndryshme.
Ngaqë e kishim të ndaluar shprehjen e lirë dhe për shkak të ndëshkimit të mendimit të lirë, më ishte kufizuar shumë herë lëvizja e lirë dhe kontakti me publikun, madje edhe me familjen time. Regjimi shoven më kishte izoluar disa herë nëpër hapësira të ngushta nëpër vende të ndryshme të atij shteti terror.
Kam pasur fatin të mbaj shpirtin gjallë p.sh. në Pejë në hapësirën me gjerësi 1,5 metra, në Zagreb me gjerësi 2 m, në Goli Otok 2 metër i vetëm dhe 4 metra duke e ndarë këtë hapësirë me 10 veta me mundësi shëtitjeje në orar të caktuar në oborret e vendeve të izolimit, në Gospiq pakëz më shumë se 2 m gjerësi, në Lepogllavë në 1,5 m gjerësi, në Stara Gradishkë në dhoma më të gjëra, 6×8 m, duke ndarë këtë hapësirë me nga 30 veta e me shtretër dy kate dhe në Sllovenska Pozhegë vuajtja për hapësirën e lirë zgjati deri sa nuk erdhi pushteti kroat nën udhëheqje të ish të persekutuarve politikë të Kroacisë.
Ata pastaj u kujdesën deri në amnistinë tonë, për afër dy muaj, na i zgjeruan hapësirat e lëvizjes brenda hapësirave të izolimit që të kishim qëndrim ditor në oborrin e qendrës ndëshkuese.
Në vitet ’90 u amnistuam dhe arritëm në Kosovë nëpër familjet tona dhe filluam jetën përsëri dhe për habi pa kufizime në lëvizje, por me kufizime në veprime e në shprehje të mendimit dhe vullnetit tonë të lirë, por pa sigurinë për jetë. Pas përplasjes së synimeve tona për liri të plotë dhe për pavarësinë e vendit tonë me pushtimin e dhunshëm, që nuk erdhi si rezultat i një ëndrre nate, as si pasojë e një aksidenti të papritur, as ide individuale, por nga një përkushtim kolektiv dhe një synim historik, luftës titanike, lindi Kosova e lirë dhe e pavarur. Tani flasim lirisht, veprojmë të pavarur dhe të pandëshkuar. Por nuk kemi mundësi të lëvizim lirisht në gjithë vendin tonë.
Me targa të Kosovës mund të lëvizim në pjesën më të madhe të globit me makinë pa asnjë shqetësim, por, për paradoksin tonë, nuk mund të lëvizim në gjithë vendin tonë. Në pjesën veriore nuk preferohet të udhëtohet, sepse mungon siguria për një lëvizje të tillë të lirë. Edhe pa veturë mund të lëvizim lirisht në gjithë botën të shoqëruar me familjar apo në shoqëri. Mund të lëvizim dhe të flasim lirisht në gjuhën tonë në çdo paralele dhe në çdo meridian të globit, edhe aty ku nuk njihet shteti i Kosovës. Por, as vetëm edhe me familjar, as në shoqëri nuk mund të lëvizim dhe as nuk mund të flasim lirisht në gjuhën tonë në pjesën veriore të vendit tonë.
Liria e lëvizjes është vlerë universale e të drejtave të njeriut. Kjo e drejtë nuk është e garantuar për qytetarët tanë në të gjithë vendin tonë edhe pas kaq kohësh të pavarësisë së Kosovës. Ky fakt më ka preokupuar të përsias gjatë në të kaluarën për të ardhur në një konkludim të shkurtër për të tashmen.
Deri sa kjo e drejtë të sigurohet, asnjë front tjetër nuk mund të hapet as brenda Kosovës për ndonjë motiv çfarëdo qoftë ai, as jashtë Kosovës në etninë tonë gjetiu për ndonjë synim të ideuar mbi platformën tonë shekullore, përkatësisht, nuk është e preferuar. Kushdo që hap fronte të tilla tani e bën nga naiviteti politik për përfitimet personale ose është i detyruar nga kërkesa për shërbime të radhës për interesa të huaja.
Sikurse lidershipi pushtetar edhe lidershipi opozitar, njësoj duhet t’i kenë parasysh këto aspekte dhe këto definicione.
Pushtetarët të mos ngazëllehen nga kënaqësitë që ofron pushteti, madje të ngazëllyerit duhet të zëvendësohen e të mënjanohen nga pushteti, ndërsa të korruptuarit duhet të vihen para përgjegjësisë.
Gjithashtu, edhe lidershipi opozitar duhet të udhëhiqet e të preferojë veprime në korrigjimin e keqqeverisjes, ku ajo konstaton në nivel lokal e qendror, duke u motivuar dhe udhëhequr vetëm nga parime që i nderojnë ata dhe që janë vetëm në interes të vendit tonë. Kështu e rritin edhe adhurimin për veten e tyre. Ky është investim strategjik për subjektet e tyre dhe për vendin tonë. Nuk duhet që për interesa meskine të krijojnë anarki si parakusht për përfitime pseudopolitike. Përfitime të tilla edhe nuk mund të arrihen gjithnjë, pavarësisht përpjekjeve.
Opinioni ynë është i vëmendshëm dhe secilin nga lidershipi në pushtet dhe opozitë e njeh jashtëzakonisht mirë, edhe në të kaluarën dhe tani. Gjithashtu edhe fondet e tyre familjare monetare, statusin social të tyre e njeh dhe të familjeve të tyre para luftës dhe tani. Kur i krahasojmë me këto që karakterizohen tani dhe me këtë gjendje që ata prezantohen aktualisht, në krahasim me më parë, të gjithë pushtetarët dhe opozitarët duhet të ndihen të kënaqur me arritjet e vetes së tyre e me ndryshimin e statusit të familjeve të tyre. Ndonjëri ndoshta edhe mund të skuqet për këtë ndryshim të paimagjinueshëm në zhvillime normale, kur ua kujtojmë të kaluarën.
Asnjëra palë nuk duhet harruar se qeveritë ndërrohen me rrotacion demokratik. Kjo duhet të bëhet normë në mentalitetin tonë kolektiv. Të parët duhet ta kenë parasysh se nuk janë të pazëvendësueshëm. Dhe të dytët duhet të udhëhiqen e të motivohen duke respektuar sistemin demokratik, i cili doemos i sjell në qeverisje, nëse janë objektiv në pragmatizmin e tyre. Gjithashtu, edhe disa norma individuale për vazhdimësinë në qeverisje dhe për arritjen në qeverisje duhet të korrigjohen. Derisa qeveritarët aktualë janë në delirin e përjetimit të kënaqësive që ofron pushteti, asnjëherë nuk duhet të dehen në këtë stad, sepse atëherë është fundi i një kapitulli në qeverisje. Ndërsa lidershipi opozitar sa më konstruktiv të jetë, aq më të sigurt e ka rritjen e elektoratit. Si ngushëllim, deri atëherë, duhet t’i shërbejë fakti se nuk është pa histori të këtyre përjetimesh në qeverisje. Shumica nga opozitarët, kush më shumë e kush më pak, kanë përjetuar këto kënaqësi në më shumë se një mandat që nga pozita e deputetit, ministrit, kryeministrit, kryetar i Kuvendit dhe deri tek ushtrim i detyrës së Presidentit të vendit. Ndërsa aktualisht kanë pushtet lokal në udhëheqje komunash e deri në udhëheqjen e kryeqytetit.
Logjika e thotë se opozitarët e tashëm kanë gjasa teorike për ta përjetuar në të ardhmen përsëri edhe qeverisjen e vendit. Por, deri sa të ndodhë kjo: edhe të parët edhe të dytët, këto karakteristika nga këto përshkrime, ky realitet nëpër të cilin po e kalojmë dhe synimet tona shekullore, duhet t’i bëjnë më të përgjegjshëm në veprimet e përditshme dhe në përkushtimet e përhershme deri në integrimet e dëshiruara aktualisht si kolektivitet dhe në ato që synojmë si etnitet.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel