Për të diskutuar mbi vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë, në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë i ftuar zoti Tomorr Alizoti, ish-diplomat dhe njohës i mirë i marrëdhënieve shqiptaro-gjermane.
Përshendetje dhe mirë se erdhët në studio, zoti Alizoti. Një pyetje që e bën kushdo në Shqipëri, cila është domethënia e vizitës së kancelares Merkel në Tiranë, nisur nga fakti që më parë marrëdhëniet dypalëshe, me përjashtim të disa momenteve kulmore ndër vite, nuk kanë patur atë vazhdimësi që dëshirohej, sidomos në aspektin ekonomik. Gjermania e Shqipëria mund të kenë patur, le të themi, simpati reciproke, por kjo nuk është reflektuar edhe aq shumë me prezencë të fortë në investime. Ndërsa në aspektin politik, Tirana ka qenë në kufijtë e sferës së interesave të Berlinit…
Tomorr Alizoti: Vizita e Merkel është një tur ballkanik. Kancelarja Merkel deklaroi në G20-ën në Australi se, duhet shkëputur Ballkani nga influenca ruse, sidomos pas krizës në Ukrainë që ka treguar pafuqinë e BE-së dhe Rusinë që ka bërë çmos që influencën e saj ta shtrijë në Ballkan. Kështu që paketën për nismën gjermane, për të ndërmarrë një veprim në Ballkan, ky fenomen e ka përshpejtuar. Kështu që vizita e kancelares Merkel nuk është vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin, për ta afruar atë më shumë me Evropën dhe për ta shkëputur nga influenca ruse. Kjo vizitë parashikon një paketë ndihmash, me investime në ekonomi, infrastrukturë rrugore, ujore dhe energji. Pastaj është edhe çështja e azilkërkuesve që shkojnë për në BE.
Ku qëndron Shqipëria në raport me Gjermaninë sot? Cilat janë interesat politike dhe ekonomike që lidhin të dy vendet?
Tomorr Alizoti: Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe është shumë larg Gjermanisë. Nëse i referohemi Shqipërisë së sotme kemi vetëm një aktivitet të fuqishëm kulturor, Tetori Gjerman, që mbahet nga Ambasada Gjermane. Pra, Gjermania është shumë pak prezente në Shqipëri. Pak prezente në kulturë dhe në ekonomi, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Në këtë pikë, shteti shqiptar ka humbur shumë kohë me Gjermaninë. Duhet të ketë plane konkrete për të përfituar nga këto projekte që zonja Merkel po prezanton në Tiranë, Sarajevë dhe Beograd.
Zonja Merkel u kujdes që të mos fliste për një datë lidhur me çeljen e negociatatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, por dha një mesazh të fortë për reformën në drejtësi…
Tomorr Alizoti: Zonja Merkel apo gjermanët janë të bindur dhe të qartë se, nuk do ketë integrim pa patur reforma. BE ka mësuar nga Rumania, Bullgaria por edhe Greqia, se anëtarët e rinj do të jenë vende të reformuara dhe unë mendoj se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit nuk janë gati. Kriza e drejtësisë në Shqipëri na bën përshtypje vetë ne shqiptarëve e jo më gjermanëve. Gjermanët kanë në plan të ndihmojnë Ballkanin, për ta shkëputur nga influenca ruse, nga ekstremizmi islamik dhe për ta afruar. Ndaj duhet reforma në gjyqësor, në drejtësi dhe ekonomi, që Shqipëria dhe Ballkani të jenë të denjë për të qenë pranë Evropës.
Çfarë prisni të ndodhë tashmë pas kësaj vizite?
Tomorr Alizoti: Gjermanët nuk janë aq emocionalë dhe propagandistikë sa jemi ne shqiptarët. Merkel i bëri të qarta mesazhet: Shqipëria duhet të reformojë dhe të përgatisë dosjet për të përfituar nga planet e konferencës së Berlinit në gusht të 2014-s. Kështu që i mbetet më shumë Shqipërisë për të realizuar këto projekte dhe për të përfituar.
Top Channel