Nën akuzë drejtori i një kompanie nafte në Prishtinë; furnizonte shkollat për ngrohje

08/07/2015 00:00

Departamenti i Krimeve të Rënda, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër pronarit të një kompanie karburantesh, e cila furnizonte 44 institucione arsimore në Komunën e Prishtinës me naftë, për ngrohje dhe gjeneratorë.

I pandehuri Kujtim Bucaliu, drejtor i Përgjithshëm i kësaj kompanie, akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimit” dhe “Mashtrimit të blerësve”, bazuar në nenet e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kjo pasi, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me kontratën e lidhur mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë, pronar i së cilës është, dhe ka vënë në qarkullim naftë të cilësisë që nuk i përgjigjet kualitetit të produktit.

Si pasojë e këtij mashtrimi, ai i ka shkaktuar Komunës së Prishtinës një dëm në shkallë të madhe, thuhet në një komunikatë për shtyp nga Prokuroria.

Padia për kompaninë në fjalë është bërë vitin e kaluar nga Komuna e Prishtinës, pasi në shkurt të vitit 2014, disa prindër u ankuan për cilësinë e naftës në shkollat e kryeqytetit të Kosovës.

Reagimi ishte i menjëhershëm, teksa zyrtarë komunalë, në bashkëpunim me hetuesinë e krimeve ekonomike, me urdhër të prokurorit, filluan marrjen e mostrave në të gjitha institucionet shkollore të Komunës së Prishtinës. Tri mostra rezultuan me sasi alarmante të sulfurit, në lëndën që rezultoi se nuk ishte naftë. Niveli i lejuar me ligj i sulfurit, edhe në BE, është 10 ppm, ndërsa sasia e sulfurit në shkollat e Prishtinës doli mbi 600 ppm.

Prania e lartë e sulfurit në derivatet, që përdoreshin në shkollat e Prishtinës, u vërtetua edhe në laboratorë ndërkombëtarë. Pas marrjes së rezultateve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, më 18 mars 2014 mori vendimin për ndërprerjen e kontratës me kompaninë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar përmes një komunikate se, lidhur me këtë çështje penale, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një autobot-çisternë, pronë e kompanisë së të pandehurit, e që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit të pandehurin, për veprat me të cilat ngarkohet sipas aktakuzës.

Top Channel