Opozitë klanore dhe jo opozitare

03/07/2015 00:00

Nga Bledar Kurti – Ashtu siç ishte parashikuar opozita doli qartazi humbëse e zgjedhjeve të 21 qershorit. Gjatë të gjithë fushatës u vu re një mungesë konsistence dhe amatorizmi elektoral, pasi opozita nuk ofroi as edhe një alternativë konkrete për administrimin e bashkive të vendit. Të gjitha analizat e bëra përpara ditës së votimit u morën më shumë se si do të reagojë lidershipi i PD pas humbjes të sigurt që e priste, dhe ajo çfarë po ndodh tani nuk përbën asnjë surprizë, pasi opozita e shkërmoqur hyri në zgjedhje dhe më e shkërmoqur doli nga zgjedhjet.

Sot, zëri i opozitës vjen nga disa drejtime. Media është gjithmonë vigjilente për të pasqyruar çdo zë opozitar, por tani nuk dihet se cili është qëndrimi zyrtar, i unifikuar dhe i studiuar i opozitës, dhe kujt i drejtohet ai? Shumë zëra vijnë nga brenda PD-së dhe i drejtohen më së shumti njëri-tjetrit në vend që të adresojnë çështje që i takojnë një opozite si institucioni legjitim i sistemit demokratik për të përfaqësuar atë pjesë në minorancë të elektoratit që mendon ndryshe nga mazhoranca. Media pasqyron me dhjetëra zëra të cilët e meritojnë vetëm në thonjëza të titullohen “opozitare”, pasi janë më së shumti statuse Facebook-u që kanë stil thumbues kryesisht kundër vetë PD-së dhe lidershipit të saj, që tashmë, në fakt ka disa vite, që nuk dihet më se nga cili përfaqësohet. Saliu shkruan me mllefe, Shkëlzeni mbron babanë, Basha tenton të ruajë karrigen, Jozefina dhe Patozi thumbojnë Bashën, Altin Goxhaj shkruan për të gjithë dhe kundër të gjithëve pa qenë në PD, por shumë i dhembshur ndaj kësaj partie. Të rinjtë e PD-së janë tërësisht pa peshë kundrejt kastës së vjetër dhe nuk dinë se çfarë kauze të mbrojnë duke u treguar së pari të kujdesshëm të ruajnë ekuilibrat brenda partisë pastaj të shtrojnë në mënyrë rutinë ndonjë fenomen shqetësues.

Kjo opozitë klanore dhe jo opozitare është në përpjekje për mbijetesë. Në vend që të shërbejë si faktor kontribuues në zhvillimin e vendit ka vite që merret vetëm me kryengritjet e saj të brendshme, e dorëzuar tërësisht në përpjekjet për të drejtuar vendin, pasi është e vetëdijshme që nuk ka as kapacitet dhe as unitet për ta arritur për një kohë të gjatë këtë ëndërr.

Por ky teatër absurd i opozitës brenda opozitës konsiston në qëndrimin që po mban pas rezultatit të zgjedhjeve. Në vend që të tregojë maturi dhe reflektim në analizën postzgjedhore qytetarët dëgjojnë deklarata fitoreje të PD-së e cila humbi 75% të bashkive të vendit dhe pësoi një rënie drastike të votave popullore krahasuar me dy vite më parë. Sido që të konsiderohen zgjedhjet e 21 qershorit, thjesht vendore apo politike, opozita ka rezultuar dyfish e humbur, dhe nuk ka asnjë argument që opinionin publik ta drejtojë për nga gjysma plot dhe jo ajo bosh e gotës, pasi në gotën e saj kanë mbetur vetëm pak pika ujë që nuk shuajnë dot etjen e askujt brenda apo jashtë partisë.

Për më tepër, i paaftë për t’u përballur me faktorët politikë brenda partisë dhe me elektoratin e tij, Basha, merret me ndërkombëtarët për denoncimin e procesit zgjedhor, ndërsa Berisha krijon diversion me incidente në Parlament për të shkëputur vëmendjen nga thelbi i problemit, që është humbja.

Por, përse merren analistët me opozitën? Përse kjo epidemi artikujsh dhe postimesh, siç ankohet Eno Bozdo? Shumë e thjeshtë, opozita është bërë për t’u marrë me të! Gjendja mjerane në të cilën ndodhet, tragji-komedia që ndodh brenda saj çdo ditë, të thërret të shkruash dhe komentosh, jo për të plotësuar dëshirën egoiste të njerëzve të penës, as për të sulmuar prenë e plagosur, por për ta sjellë atë në vete që të luajë rolin që i takon.

Opozita është një koncept përtej PD-së së sotme, është një institucion me rol të barabartë me mazhorancën në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Nëse ajo është kaotike me veten dhe e transmeton këtë kaos në politikë, parlament, dhe aspektet themeltare të jetës shoqërore, ajo pengon progresin e natyrshëm të vendit. Kësisoj, si dhembjen e rezultatit të zgjedhjeve ashtu edhe atë të penës së analistëve duhet ta përdorë për t’u maturuar dhe marrë me dinjitet rolin që i takon, pasi sa më shumë do i largohet përgjegjësisë së saj aq më shumë do t’i largohet ëndrrës për të ardhur në pushtet.

Në politikë ka humbës dhe fitues. Megjithatë, ndodh që edhe humbja mund të japë dinjitet dhe të shërbejë për fitoren e ardhshme, por me betejat klanore brenda PD-së, një opozitë humbëse dhe të paorganizuar që krekoset si fituese, betejat e së ardhmes duken shumë të largëta nga fitorja. Dhe, gjatë të gjithë kësaj odiseje të përhumbur me veten, pena dhe zëri i analistëve do të jetë gjithmonë mbi opozitën derisa të prodhojë fenomene për inspirim dhe jo kritikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA