SHBA, lihet në fuqi përdorimi i përzierjeve vdekjeprurëse për dënimet kapitale

29/06/2015 00:00

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka lënë në fuqi përdorimin e përzierjeve të kontestueshme të ilaçeve, që përdoren nëpër ekzekutime, duke e argumentuar se kjo mënyrë vendimmarrjeje nuk shkel ndalimin e dënimeve të ashpra dhe të pazakonta.

Vendimi i kësaj të hëne është një goditje ndaj kundërshtarëve të dënimit me vdekje, të cilët thonë se “midazolam”-i nuk është i përshtatshëm për injeksionet vdekjeprurëse. Kjo përzierje ilaçesh ngriti shqetësime të shumta, pasi u përdor në ekzekutimet e ndërmarra nga 3 shtete amerikane në vitin 2014, procedura që zgjatën më shumë se ç’ishin parashikuar.

Ekzekutimet janë shtyrë për momentin në SHBA, për shkak të problemeve me blerjen e ilaçeve vdekjeprurëse, kjo pasi shumë firma kanë refuzuar t’i shesin ato.

Gjykata, pas vendimmarrjes 5 pro dhe 4 kundër, i shkaktoi dështimin edhe përpjekjeve të 3 të burgosurve, të cilët kanë thënë se qetësuesit nuk arrijnë në nivelin e pavetëdijes siç kërkohet nëpër ndërhyrje kirurgjikale, duke i bërë ato të papërshtatshme për ekzekutimet.

Por, gjykata vendosi se të burgosurit nuk provuan faktin që përdorimi i “midazolam”-it është tepër mizor dhe i pazakontë, nëse e krahasojmë me alternativat e tjera të ditura dhe të mundshme.

Disa shtetet amerikane i janë rikthyer përdorimit të “midazolam”-it, kur disa prodhues europianë ndaluan së furnizuari burgjet amerikane me “thiopental sodiumi”, një përzierje kimike që përdoret përgjithësisht për anestezi dhe hipnozë, për shkak të një ndalimi që vendosi BE-ja për shitjen e produkteve që përdoren në injeksionet vdekjeprurëse.

Mungesa e disa barnave të ndryshme të përdorura në 32 shtete amerikane, të cilat kanë ende në fuqi dënimin me vdekje, çoi në përdorimin e disa metodave kontroverse, siç janë dhomat e gazit dhe skuadrat e pushkatimit.

Top Channel