Ngjela: Nuk e shoh gjatë Bashën në krye të PD-së

29/06/2015 00:00

Më 21 Qershor shqiptarët votuan për krerët e rinj të bashkive dhe për këshillat bashkiakë, sipas ndarjes së re administrativo-territoriale.

Koalicioni i së majtës, udhëhequr nga PS dhe LSI dominoi në këto zgjedhje, duke marrë 45 nga 61 bashkitë e reja, ndërsa e djathta, udhëhequr nga PD siguroi vetëm 15 bashki. Në këto 8 ditë është analizuar procesi dhe rezultati. Dhe “Shqip” i kësaj të hëne me Rudina Xhungën iu kushtua një analize të tillë me të ftuar politikanë dhe analistë.

Spartak Ngjela është njëri prej politikanëve, që para zgjedhjeve vlerësoi si pikë të dobët të koalicionit të majtë LSI-në, për të cilën po në studion e “Shqip” do të deklaronte para zgjedhjeve se do të humbte në pjesën më të madhe të bashkive ku kandidonte.

Por pas rezultatit, si e vlerëson Spartak Ngjela rezultatin e forcës së dytë më të madhe në koalicionin qeverisës?

“PS është një parti me parime dhe nuk e pranon bashkëpunimin me Sali Berishën. Kur ata lanë Nanon, që bëri një gabim të vogël, që takoi Saliun në momentet që do rrëzohej… E kanë parim këtë dhe Metën nuk mund ta pranojnë që i la 4 vite jashtë pushtetit. Të jemi realistë për këtë. Unë mendoja që do humbte edhe disa të tjera, por problemi ishte që për Metën ishte dëmtim. Vota politike këtu është vota mazhoritare. Vota tjetër nuk është votë politike. Vota tjetër është votë, e cila mblidhet jashtë politikës”, tha Ngjela.

Analisti Eduart Zaloshnja tha se rezultati ishte përafërisht me atë që arriti ai në një sondazh të pak muajve më parë, kur nuk ishin publikuar ende emrat e kandidatëve përkatës.
 
“Në një sondazh kombëtar më rezutonte se 880 mijë shqiptarë votonin mazhorancën dhe 660 për opozitën. Ishin të pacaktuar ende kandidatët në atë kohe dhe që atëherë dallohej pjesëmarrja që do kishte një rënie, ndërsa opozita mori votat që kishte”, tha Zaloshnja.

Afrim Krasniqi tha se, përsa i përket votës në mazhoritar nuk ka pasur probleme të mëdha. Sipas tij, blerja e votës është bërë masivisht në proporcional.

“Këshillat bashkiakë në Shqipëri kanë qenë pazare, në të gjitha kuptimet kanë qenë pazare. LSI tregoi që është një parti horizontale dhe ka marrë shumë këshilltarë, por pësoi rënie në mazhoritar. Kjo tregoi që nuk është në gjendje të marrë asnjë bashki si forcë e vetme. LSI ka marrë një numër të madh këshilltarësh në raport me atë që priste PS, por edhe atë që e majta përfaqëson në Shqipëri”, tha Krasniqi.

Duke u ndalur tek Pogradeci, Spartak Ngjela deklaroi se po të ishte një kandidat i dalë nga PS, e majta do ta fitonte këtë bashki.

Më tej, Ngjela aludoi për një largim të Bashës nga kreu i Partisë Demokratike. “Nuk ma ha mendja që PD të mbetet me këtë lider”, u shpreh ai, duke shtuar se Basha është një kryetar i katapultuar në politikën shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA