Çmimet Independent Spirit 2026, triumfojnë “Adolescence” dhe “Train Dreams” Lufta kundër Shtetit Islamik është një betejë për brezin tonë, ka deklaruar kryeministri britanik David Cameron, lidhur me masakrën në Tunizi që u mori jetën 38 personave, shumica e të cilëve britanikë.
“ISIS mund të mposhtet, por kjo do të kërkojë një kohë të gjatë”, tha Cameron për Radio 4 të BBC, duke shtuar se “ato që ndodhën në Tunizi ishin të tmerrshme dhe shokuan mbarë botën”.
Ai theksoi se, ISIS përbën një “kërcënim ekzistencial” për Perëndimin dhe ka shtuar se, anëtarët e tij në Irak dhe Siri po planifikonin “sulme të tmerrshme” në territorin britanik.
Zoti Cameron, i cili do të drejtojë një tjetër takim të komitetit të emergjencave Cobra, deklaroi se Mbrëtëria e Bashkuar duhet të ketë një përgjigje të gjithanshme ndaj kërcënimit të Shtetit Islamik, përfshirë këtu vijimin e sulmeve ajrore.
I pyetur nëse trupat britanike nevojiten në terren, ai u shpreh: “Strategjia jonë është të ndërtojmë ushtri lokale. Kjo është shumë më e lehtë sesa të pushtosh një vend. Është më e lehtë dhe më e shpejtë, por që natyrisht ka pasoja”.
Kryeministri tha gjithashtu se një avion transporti do të dërgohet në Tunizi këtë të hënë, për të ndihmuar në evakuimin e trupave të viktimave dhe, nëse familjet do të jenë dakord, dërgimin e tyre në Britani.
Ndërkohë, sekretarja e Brendshme, Theresa May vendosi lule në vendin e ngjarjes, në plazhin në qytetin Souse, në nder të viktimave.
Homazhe bënë edhe familjarë të viktimave. Ndërkohë, një numër i vogël turistësh britanikë konsiderohen ende të humbur, me të afërmit e tyre që presin në ankth lajme për ta.
BBC njofton se ka të dhëna se numri i viktimave me shtetësi britanike, që aktualisht është 15, do të arrijë në të paktën 30 sapo të përfundojë zyrtarisht procesi i identifikimit.
Shumica e të vrarëve nuk janë identifikuar ende dhe pjesa më e madhe e detajeve mbi identitetin e tyre deri tani kanë ardhur nga familjarët dhe miqtë.
Top Channel