
Vendimi i Gjykatës Supreme në Amerikë për legalizimin e martesës të se njëjtit seks në të gjithë kombin, është kthyer në një nga debatet më të nxehta të betejës presidenciale për vitin 2016.
Kandidatët kryesorë republikanë, shumë prej të cilëve shprehën mosmiratimin e menjëhershëm dhe të pakundërshtueshëm ndaj vendimit të gjykatës, janë përballë faktit se presidenti i ardhshëm do të jetë i pafuqishëm për të ndaluar kurorëzimin e homoseksualëve.
Në të njëjtën kohë, anketat e opinionit publik tregojnë se shumica e amerikanëve tani janë pro këtij vendimi, një shenjë e ndryshimit të shpejtë të peisazhit në vend. Pasi Obama iu drejtua popullit me shprehjen Love is Love, se dashuria nuk njeh kufizime, erdhën edhe reagimet e menjëhershme të forcës konservatore.
Kandidati për president, ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush lëshoi një deklaratë, duke shprehur besimin e tij në “martesën tradicionale”, duke shtuar nga ana tjetër se tani është e rëndësishme për të mbrojtur lirinë e fesë dhe të drejtën e ndërgjegjes.
Bobby Jindal, i cili është kandidati i 13-të në garën presidenciale, i cilësoi si një sulm kundër të drejtave të lirisë fetare të të krishterëve, të cilët nuk janë dakord me këtë vendim. Ndërkohë, Scott Walker, i cili nuk ka hyrë ende zyrtarisht në garë, u bëri thirrje të gjithë guvernatorëve të bashkohen me të, për të mbrojtur miliona amerikanë nga shkelja që po i bëhet besimit të tyre.
Ndërsa në ndryshim me kandidatët, një sondazh i vitit 2014 i “Pew Research Center” tregoi se 58% e votuesve republikanë i mbështesin martesat mes homoseksualëve.
Nga ana tjetër, kandidatja demokrate Hilary Clinton, pikëpamjet e së cilës kanë evoluar me kohën për çështjen e martesave gay, u shpreh e kënaqur për vendimin, për të cilin ajo tha se “përfaqëson më të mirën për vendin e tyre”.
Ekspertët dhe strategët politikë besojnë se ka të ngjarë që kjo të jetë një manovër elektorale për të mbledhur sa më shumë vota për zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit 2016.
Top Channel