Procesi i numërimit të votave në Malësinë e Madhe, një nga dy bashkitë ku ende nuk kemi një rezultat final, është ndërprerë për shkak të përleshjeve mes militantëve të partive politike.
Bëhet e ditur se përleshja fizike mes militantëve ka nisur në momentin kur numëruesit kanë dalë jashtë për 30 minuta pushim.
Rreth 20 forca policie janë munduar të qetësojnë situatën, ndërsa menjëherë kanë mbërritur edhe forcat speciale, si edhe drejtues të policisë së Shkodrës. Partia Demokratike akuzon militantët e PS-së se kanë goditur me grushta kryetarin lokal të demokratëve.
Pavarësisht shtimit të forcave të policisë situata mbeti e tensionuar dhe KZAZ numër një e kësaj bashkia mori vendimin që kutitë e mbetura të numërohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë bashki janë numëruar 52 nga 79 kuti dhe kandidati i aleancës së majtë, Tonin Marinaj, ka marrë 7104 vota, ndërsa rivali i tij, kandidati i APPD, Anton Kokaj ka marrë 6014 vota.
Ndërkohë në Shkodër kanë mbetur edhe 3 kutitë e fundit dhe kandidatja e APPD, Voltana Ademi kryeson me rreth 11 mijë vota ndaj Keti Bazhdarit të ASHE.
Top Channel