Me votat e qytetarëve të Fierit të hedhura në kutitë e votimit ditën e diel, Armando Subashki, kandidat i ASHE, u zgjodh kryebashkiaku i ri i Fierit me rreth 10 mijë vota diferencë nga rivali i tij, Enkelejd Alibeaj.
Për t’u vlerësuar ishte reagimi i Alibeajt, i cili me anë të një statusi në “Facebook”, ka uruar Subashin për fitoren.
Ai ka ndarë përshtypjet finale të një fushate të paharruar për të dhe vizitat e tij në të gjithë Fierin dhe takimet me qytetarë.
“Për gjatë dy muajve pata kënaqësinë te isha më pranë secilit prej jush, në çdo fshat dhe lagje të Fierit. Kjo fushatë më dha mundësinë të bisedonim dhe të ndanim së bashku realitetin në të cilin jeton çdo qytetar i Fierit. Ofrova për ju vizionin tim për Fierin, integritetin dhe përkushtimin tim dhe gjeta tek ju dëshirën dhe shpresën për ta ndryshuar këtë realitet”, shkruan Alibeaj në “Facebook”.
Ai e mbyll mesazh duke uruar edhe ata që votuan kundërshtarin e tij.
“Falenderoj secilin prej jush, demokrat e socialist, me apo pa parti, për qetësinë, maturinë dhe qytetarinë e treguar gjatë fushatës dhe ditën e votimit. Njëkohësisht respektoj dhe çmoj vullnetin e çdo qytetari të shprehur nëpërmjet votës. I uroj suksese kryebashkiakut të ri të Fierit me shpresën që Fieri të ndryshojë, që e sotmja dhe e nesërmja e çdo qytetari fierak, e çdo familjeje fierake të jetë më e mirë”.
Më herët gjatë së hënës edhe Hasan Halilaj në Kukës uroi Bashkim Shehun, kandidatin e APPD për fitoren.
Top Channel