Qindra refugjatë nga Siria, Afganistani e vendet e tjera, jetojnë në qiellin e hapur duke pritur ndihmë.
Në kufirin me Maqedoninë në Preshevë, shumë prej tyre arrijnë dhe tashmë përmasat e numrit të azilantëve janë rritur në numra që lëvizin shpejt.
Kryqi i Kuq ka hapur disa tenda dhe pas shumë kohësh të paktën ata mund të kenë ujë, kujdes mjekësorë e pak pushim.
“Në bazë të statistikave kanë kaluar në mënyrë ilegale rreth 6 mijë refugjatë. Fluksi më i madh ka qenë rreth 700 persona në vetëm 3 ditë”, shprehet Amet Halili, Kryqi i Kuq i Serbisë.
Derisa shumë prej tyre kanë ngelur pa asnjë centë në xhep, kanë bërë rrugë të gjata nëpër shinat e trenit dhe rrugë që duket së nuk mbaron kurrë. Mjekët pa Kufi, kanë shtuar aktivitetet e tyre dhe thonë se shumë prej tyre kanë sëmundje të lëkurës dhe lëndime.
“Ne jemi duke ofruar kujdesin e parë mjekësorë dhe e shohim që sëmundjet më të shpeshta janë sëmundje lëkure, sëmundje që kanë të bëjnë me mungesën e ushqimit dhe lëndime të këmbëve pasi këta njerëz kanë ecur gjatë dhe nëpër male”, Francesco Postachini, Mjekët pa Kufi.
Në zonën kufitare më Maqedoninë ku duket se shtetet Ballkanike që dikur kishin shumë refugjatë nga vet vendet e tyre, tashmë nuk ua ndjen shumë për viktimat e luftërave të tjera. Top Channel ka filmuar një grup në zonën kufitare duke pritur të kalojnë kufirin.
Pasi kujdesen për higjienën aq sa munden ata presin natën. Të tjerë kalojnë nëpër hekurudha. Shumë raste kanë ndodhur kur treni ka mbytur refugjatët. Për shkak të mos ofrimit të strehimit, mungesës së kapaciteteve, shumë prej tyre ngelin nëpër rrugë, preh e tregtarëve me fatet e njerëzve.
Mijëra euro të shpenzuara për të qenë një kufi larg Bashkimit Europian. Por, për shumë qëllimi duket ende larg.
“Ne kemi ardhur këtu në këmbë, me biçikleta, këmbët tona janë lënduar shumë. Nuk kemi më para. Kisha me vete 800 euro, por nuk kamë asnjë më”, shprehet një prej emigrantëve.
“Kemi ardhur nga Afganistani në Iran, nga Irani në Turqi, nga Turqia në Bullgari, Maqedoni, e tani në Serbi. Kemi tre ditë këtu dhe nuk kemi mjek për shërim për këmbët tona”, thotë një tjetër.
Vetëm në Serbi gjatë për pesë muaj rreth 22 mijë refugjatë kanë kërkuar azil. Por, kapacitetet janë të vogla dhe shumë prej tyre që kanë lënë gjithçka mbrapa, pas shumë dhimbjesh duan ta lidhin fatin e tyre në nyje më të fortë, në vendet e Bashkimit Evropian.
Top Channel