Konkursi mbarëkombëtar i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit u finalizua për të tretin vit radhazi. Edhe këtë herë, qëllimi ishte i njëjtë: gjetja e talenteve të reja në fushën e teknologjisë.

Siç e do tradita, mbrëmja gala e “Albania ICT Awards” shërbeu për të vlerësuar më të mirët e 7 disiplinave të ndryshme. E sërish, Fondacioni “Dritan Hoxha” mbështeti eventin në nxitje të talenteve.

“Inovacioni i Vitit”, “Ylli në Ngritje i Vitit”, “Mobiliteti i Vitit”, “Diploma e Vitit”, “Akademiku i vitit”, “Shërbimi Publik i Vitit”, si dhe disa çmime mirënjohjeje u shpërndanë gjatë mbrëmjes. Konkurrenca ishte e fortë, por juria diti të përzgjedhë më të mirët.

Fituesi i “ICT Inovacioni i Vitit” ishte Mërgim Cahani. Kompania e tij “Gjirafa” është një motor kërkimi në gjuhën shqipe, që është bërë platformë e rëndësishme online. Në kategorinë “ICT Ylli në Ngritje” u vlerësua 16-vjeçari nga Durrësi, Kelvin Çobanaj. Ai mundet të programojë në më shumë se 20 gjuhë programimi.

Çmimi “ICT Mobiliteti i Vitit”, këtë vit i takoi Bledar Bregut. Djaloshi është themelues i “Findit.al”, një platformë për mbledhjen, organizimin dhe shpërndarjen në formë elektronike të informacionit.

Fituese e çmimit “ICT Diploma e Vitit” këtë herë rezultoi një femër, Mirgita Frashëri. Tema e diplomës, me të cilën ajo mori pjesë në konkurs quhej “Përdorimi i modelit Ising në zgjidhjen e problemeve të tregut financiar”.

Gjithashtu, “ICT Akademiku i Vitit” ishte Edmond Hajrizi, çmim që ia dorëzoi kryetarja e Jurisë, Kozeta Sevrani. “ICT Shërbimi Publik i Vitit” në Shqipëri shkoi për Ministrinë e Mirëqenies dhe Rinisë, ndërsa në Kosovë për Administratën Tatimore.

Risi ishte mirënjohja për femrën në sektorin ICT, çmim që e rrëmbeu Lindita Shomo, ndërsa nuk munguan çmimet e mirënjohjes për kandidatët e tjerë që spikatën me prurje.

Top Channel