Lorik Cana, intervistë ekskluzive në “Procesin Sportiv”: Gjithçka për të kualifikuar Shqipërinë

16/06/2015 00:00

Fitorja me Francën, edhe pse një miqësore, konfirmoi një mbyllje të fazës së parë të këtyre eliminatoreve shumë të suksesshme për kuqezinjtë.

Tashmë skuadra jonë nuk është më e vogël, as e panjohur dhe mbi të gjitha di të luajë mirë futboll. Lorik Cana, pas këtij suksesi, bën analizën e tij prej kapiteni si më veterani i kësaj skuadre të re, por që funksionon shumë mirë.

“Ndaj Francës ishte një ndeshje e madhe, por më të kënaqur jemi për nivelin e lojës dhe konsolidimin e grupit. Vazhdimësia e rezultateve pozitive ka ndikuar edhe në mentalitet dhe po kuptojmë se jemi në rrugën e duhur. Gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe prurje të reja, me lojtarë që pavarësisht ecurisë në klubet ku aktivizohen, në Kombëtare mundohen të bëjnë më të mirën. Si lojtarët që aktivizohen dhe ata që qëndrojnë në stol, gjithmonë janë ndjerë pjesë e këtij ekipi dhe kjo është forca më e madhe e Shqipërisë”.

Skuadrat e ashtuquajtura të vogla, të pamësuara me vazhdimësi të tilla pozitive, kundërshtarin kryesor kanë euforinë, por për kapitenin Cana, tashmë ne jemi në një tjetër stad edhe pse pjesa e vështirë e ndeshjeve ende nuk ka filluar.

“Duke pasur parasysh se ndeshjet më të vështira i kemi përpra, nuk na lejon ne dhe nuk e kemi luksin të kalojmë në eufori të tepruar. Euforinë duam ta shfrytëzojmë në anën pozitive të saj. Njerëzit nuk duhet të mendojnë se ne jemi të kualifikuar, pasi nuk është absolutisht e tillë. Me këtë nivel loje ne mund të marrim çdo lloj rezultati, por nuk do të ishte befasuese që në Danimarkë ne të luajmë mirë dhe për këtë jam i sigurt, por ndoshta edhe nuk fitojmë. Për të bërë llogaritje është shumë herët dhe ne thjesht do të vazhdojmë me logjikën e deritanishme, ndeshja e ardhshme është më e rëndësishmja e Kombëtares shqiptare. Kur dëgjojmë fjalë të mira nga jashtë për ekipin tonë na bënë të ndjehemi mirë, por në futboll ngjitesh shumë ngadalë dhe përfundon shpejt poshtë, për këtë duhet të kemi kujdes”.

Gjesti i grumbullimit të lojtarëve në fund të ndeshjes nga kapiteni, ishte dhe momenti për të cilin të gjithë u bënë kuriozë  se çfarë ndodh brenda grupit  të lojtarëve pas një fitoreje të tillë dhe pas një ecurie kaq pozitive.

“Atë grumbullim në fund e kam bërë në çdo ndeshje. Kam thënë që duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar, për të realizuar një gjë të madhe për vendin tonë. Gjithashtu i thash se do të shihemi sërish pas dy muajve dhe secili duhet të kujdeset për vete, në mënyrë që të jetë në gjendje sa më të mirë kur të grumbullohemi sërish. Kjo është një mënyrë që ne të qëndrojmë të grumbulluar pas ndeshjes. Në fushë dhe jashtë saj, skuadra është shumë e lidhur dhe kjo është forca jonë. Ne nuk jemi bërë për një apo për dy edicioni ekipi më i mirë në Europë, por jam shumë i sigurt se jemi ekipi më i bashkuar dhe ekipi që lufton më shumë për ngjyrat kuqezi”.

Një ecuri suksesesh kuqezi e tillë sigurisht që ka një udhëheqës dhe ai është trajneri Gianni De Biasi. Kur ka mbetur dhe një vit nga kontrata aktuale, ai është shprehur i gatshëm për rinovimin e radhës dhe për këtë, të gjithë janë në një mendje.

“Që në momentin e parë që ai ka ardhur në Shqipëri, unë kam parë impenjimin dhe dëshirën shumë të madhe tek ai për të realizuar një projekt dhe ta çojë sa më lartë atë. Besoj se De Biasi e ndjen Shqipërinë si vendin e tij të dytë. Unë besoj se ai këtë e bën në mënyrë të sinqertë dhe jo çdo kush është i aftë të realizojë diçka të tillë. Ai ka parë se çfarë njerëzit presin nga kjo kombëtare dhe çfarë mund të japin për të. Unë mundohem që fjalët e tij t’ia transmetoj lojtarëve jashtë dhe brenda fushe, për të arritur gjera të mëdha. Për të kam vetëm fjalë të mira dhe shpresoj që të qëndrojë sa më shumë të jetë e mundur”.

Pas 4 vitesh si lojtar i Lacios, kapiteni kuqezi ka vendosur të largohet për të vazhduar karrierën e tij diku tjetër, ndoshta përtej Atlantikut, në Nju Jork, por edhe alternativat e tjera gjermane nuk mungojnë.

“Dëshira ime është që të luaj edhe në një tjetër kampionat para se të përfundoj karrierën. Ndoshta mund të luaj në Europë ose jashtë saj. Në këtë moshë që jam aktualisht, bota e futbollit po hapet për mua. Gjermania është një kampionat që po më tërheq shumë , por ka edhe vende të tjera, por kisha interes edhe në Shtetet e Bashkuara pasi kohët e fundit kanë shkuar shumë lojtarë të mëdhenj. Për mua nuk është vetëm ana financiare, por kërkoj edhe një eksperiencë të re. Unë kam edhe një dëshirë të madhe për të luajtur në Europa League, apo në Champions League”.

Kapiteni kuqezi ka dhe një vit kontratë te Lacio dhe për të zgjidhur largimin, veç presidentit i duhet të diskutojë me mikun e tij, ish-shokun e skuadrës së kombëtares dhe drejtorin e klubit, Igli Tare.

“Para se ta kem drejtor sportiv, Iglin e kam mik. Me të kam luajtur disa vite në Kombëtare dhe mund të them se është një person me vlera të jashtëzakonshme. Ai ka qenë arsyeja kryesore që unë kam shkuar te Lacio, pasi ai e dëshironte shumë këtë. Këtë vit kam leje nga klubi që nëse gjej diçka të kënaqshme mund të largohem. Unë kam biseduar me Iglin para se të përfundonte kampionati dhe do të bisedoj sërish me të, por edhe me trajnerin. Unë do t’i marr një këshill edhe nga Igli, si mik dhe një njeri me përvojë. Kur unë të vendos për të ardhshmen, besoj se do të gjejmë një zgjidhje me klubin”.

Aktualisht Lorik Cana po përjeton emocionet e ethshme të pritjes për t’u bërë baba. Tashmë që është i sigurt se fëmija i tij dhe i bashkëshortes Monika, do të jetë djalë dhe do të mbajë një emër shqiptar, mendon të mbyllë karrierën sa më mirë, duke realizuar edhe ëndrrën e madhe të Europianit.

“Bashkëshortja është një person që më mbështet dhe e di se karriera ime është primare. Ne kemi një rrugë të përbashkët dhe për shumë gjera vendosim bashkë. Unë kam fatin që jam me një person të tillë, pasi ajo çdo ditë angazhohet që të ma bëjë jetën sa më të lehtë, duke më dhënë jashtëzakonisht shumë forcë. Shpresoj që shëndeti t’i shkojë mirë, ndërsa kemi mësuar se fëmijë që presim është djalë. Tashmë duhet të mendojmë edhe për emrin, i cili patjetër duhet të jetë shqiptar, por ende nuk kemi vendosur për të”.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me karrierën deri tani. Unë kam edhe një ëndërr të cilën dua ta realizoj. Do të bëj gjithçka për të kualifikuar Shqipërinë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA