
Kandidati i PD-së për Vlorën, Genc Deromemaj, duke iu referuar takimit përmbyllës elektoral të kryeministrit Rama në Vlorë, deklaroi se asnjë nga premtimet e tij nuk është realizuar.
Në një takim me elektoratin e djathtë, Deromemaj tha se, përgjigjen kryeministri dhe kandidatët e tij do ta marrin më 21 Qershor.
“Dje, si përherë, kryeministri nuk i kurseu batutat, sharjet dhe premtimet enciklopedike. Gjatë kësaj batareje verbale mu referua edhe mua si kandidat i opozitës në Vlorë. E kishte kapur meraku me arsimimin tim si jurist. E keni kot zoti kryeministër, unë jam inxhinier! Kandidati yt, siç e ka thënë vetë, ka dashur të jetë i tillë. Dikush mund të kompleksohet nga diploma e vet. Qoftë ky mjek, apo mësues vizatimi. Një mësues vizatimi si ai, që vizaton më keq se djali im 5-vjeçar. Por ky nuk është problemi im dhe as i vlonjatëve. Kam një merak tjetër dhe një pyetje për ju dhe kandidatin tuaj. Ku e keni programin? Si mund të mbyllet një fushatë elektorale pa u thënë votuesve: Ja ku është alternativa ime? Cilin prej premtimeve të 2013-s keni realizuar për Vlorën, që vlonjatët t’u besojnë premtimeve të 2015-s? Përgjigjen ua jep Vlora më 21 Qershor”, tha Deromemaj.
Top Channel