Kosovë, prodhuesit e përpunuesit e qumështit protestojnë kundër produkteve të importit

15/06/2015 00:00

Qindra prodhues dhe përpunues të qumështit në Kosovë, kanë marshuar këtë të hënë në drejtim të qeverisë, ku edhe kanë protestuar kundër importit të prodhimeve të qumështit.

Me pankartat “Na lini të punojmë”, “Stop produkteve me yndyrë bimore”, ata sollën para Kryeministrisë edhe dy lopë me mbishkrimin “kryeministër, na shpëto prej therrjes”, si dhe kritikuan qeverinë, që – sipas tyre, – po shkatërron me politikat e veta këtë sektor.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Naser Bajraktari tha se, dita-ditës po zvogëlohet sasia e prodhimit të qumështit, duke mos pasur hapësirë për tregtim të lirë dhe të barabartë në tregun e vendit, tashmë – sipas tij, – i vërshuar nga importi i qumështit. Kjo, sipas Bajraktarit, bën që investimet e bëra në këtë sektor të jenë të kota.

“Investimet e mëdha që janë bërë në fabrikat e përpunimit të qumështit, në të gjithë Kosovën, janë bërë pikërisht, që qumështin e prodhuar nga ne, ata ta përpunojnë dhe ta hedhin në tregun vendas, duke konkurruar me të gjitha produktet e qumështit që vijnë nga jashtë. Të konkurrojnë në mënyrë të rregullt dhe të barabartë, por kjo nuk po ndodh. Po ndodh pikërisht e kundërta, ku tregun tonë e kanë vërshuar importet me yndyrë bimore, e me këtë kanë vulosur shkatërrimin e këtij sektori të ngritur me mund dhe me vite të tëra”, tha Naser Bajraktari, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit.

Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, tha se Kosova importon prodhime të qumështit me yndyrë bimore, të cilat – sipas tij, – rrezikojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe mbysin konkurrencën e drejtë dhe të lirë.

“Në shtetin tonë, prej disa vitesh hyjnë lirshëm produkte siç dëshiron dikush nga jashtë, duke mos pyetur fare për ligj e kanun. Këto produkte hyjnë në kulmin e ditës dhe në dritë të diellit. E kemi fjalën për produktet me yndyrëra bimore, me vaj palme, vaj kokosi e miell soje, me proteina, stabilizatorë, amidon e gjithçka tjetër; që shiten herë si djath e herë si krem”, tha Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit.

Mema bëri të ditur se kanë kërkuar disa herë takim me kryeministrin Isa Mustafa, nga i cili nuk kanë marrë përgjigje. Në anën tjetër, disa prodhues qumështi kanë bllokuar për pak kohë me mjete të rënda magjistralet Pejë-Rozhajë, Prishtinë-Ferizaj, Prishtinë-Podujevë dhe Prishtinë-Mitrovicë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA