Kroacia dhe Italia e kanë mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian, i cili do të zhvillohet pas një viti në Francë.
Mario Mandzukic ishte autor i golit të parë të ndeshjes në minutën e 11, vetëm 4 minuta pasi kishte gabuar nga pika e bardhë e 11-metërshit. Italianët gjetën forca dhe arritën të barazonin që në pjesën e parë. Antonio Candreva ktheu në gol një penallti të shkaktuar nga Mandzukic, i cili e preku topin me dorë brenda zonës.
Pavarësisht përpjekjeve të të dyja ekipeve për të marrë fitoren, ndeshja përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1.
Ndërkohë, mbrëmjen e së premten u luajtën edhe dy ndeshjet e tjera të vlefshme për grupin H, ku Norvegjia u ndal në fushën e saj 0-0 nga Azerbajxhani, ndërsa Bulgaria arriti një fitore minimale në Maltë.
Këto ishin ndeshjen e 6-ta në këtë grup, ku aktualisht udhëheq Kroacia me 14 pikë, Italia e dyta me 12 pikë dhe Norvegjia e treta me 10 pikë.
Në grupin A, një fitore të rëndësishme arriti Holanda 0-2 në Letoni. Po në këtë grup, Turqia fitoi 0-1 në Kazakistan, ndërsa Islanda vazhdon të mahnitë, pasi arriti të marrë edhe fitoren e pestë në gjashtë ndeshje, ku mposhti 2-1 Çekinë. Aktualisht grupi A kryesohet nga Islanda me 15 pikë, Çekia 13 pikë, ndërsa Holanda renditet në vendin e tretë me 10 pikë.
Ndeshje interesante u zhvilluan edhe në grupin B, ku Gareth Bale duket se po e kthen në realitet ëndrrën e uellsianëve. Kombëtarja e këtyre të fundit fitoi 1-0 ndaj Belgjikës, me një gol të realizuar pikërisht nga lojtari i Realit të Madridit. Bosnja fitoi 3-1 ndaj Izraelit, ndërsa Andora u mposht 1-3 në shtëpi nga Qipro. Pas ndeshjeve të 6-ta, Uellsi është i pari në grupin B me 14 pikë, Belgjika e dyta me 11 pikë, ndërsa Qipro e treta me 9 pikë.
Top Channel