Mbyllet Panairi i Librit në Prishtinë

07/06/2015 00:00

Në konferencën përmbyllëse të Panairit të 17 të Librit në Prishtinë, organizatorët thanë se interesimi i lexuesve në Kosovë është vazhdimisht në rritje, ndaj dhe për një javë janë realizuar rreth 40 debate dhe promovime librash.

“Mund të flasim lirisht me shifrën 35 mijë, 40 mijë vizitorë në panair. Kemi dashur që panairi të mos jetë vetëm treg i librit, mos të jetë vetëm shit-blerje, sepse shit-blerjet funksionojnë nëpër librari, por të jetë manifestim i librit në kuptimin e plotë ku do të ketë përurime, debate paraqitje dhe të gjitha këto kemi arritur një numër rekord t’i përfshijmë”- tha kryetari i shoqatës së botuesve të Kosovës, Daut Demaku.

Gjithsej 110 shtëpi botuese prezantuan rreth 1200 tituj të rinj, ndërsa nuk munguan 5000 tituj të vjetër librash.

Besian Zeneli, organizator i Panairit të Librit, bëri publike titujt më të shitur të këtij edicioni të autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj.

“Edhe kësaj radhe ishte Veton Surroi, libri i tij ishte më i kërkuar dhe më i shituri, libri që zgjoi kureshtjen më të madhe “Ambasadori i Melkidezekut”, domethënë është libri më i kërkuar në këtë panair. Prin Modiano me tre titujt e rinj, të cilët erdhën në panair. Kryevepra e tij ‘Dora’, pastaj për të vazhduar edhe me dy tituj tjerë  si ‘Lulet e rrënimit’, tha Zeneli.

Panairi i 17 i Librit zgjati nga 2 deri më 7 qershor, ndërsa edhe në ditën e fundit pati vizitorë të shumtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA