Champions, Barcelona shpallet kampione e Europës. Mposht 3-1 Juventusin në finale

06/06/2015 00:00

Një fillim si në ëndrra dhe një fund ëndrrash që bëhen realitet… për Barcelonën.

Katalanasit e drejtuar nga Luis Enrique, e të udhëhequr në fushat e blerta të këtij sezoni nga mbi 120 gola të shënuar prej treshes më të frikshme të repartit ofensiv; Lionel Messi, Neymar dhe Luis Suarez; ia kanë dalë mbanë të mposhtin 3-1 Juventusin në finalen e Champions League, të luajtur në Berlin, për të gritur kupën me “veshë të mëdhenj”, atë më të lakmuarën në nivel klubesh, e duke kompletuar të ashtuquajturën “tripletë”.

“Blaugrana”-ve u janë dashur vetëm 4 minuta lojë, ashtu sikurse nuk mund ta kishin menduar kurrë paraprakisht, kur një pasim spektakolar i dhënë nga Messi kontrollohet më së miri nga anësori i majtë Jordi Alba; ky i fundit e kalon për te Neymar dhe braziliani gjen korridori për tek Iniesta. Maestroja i Barcelonës e ka shumë të lehtë t’i dhurojë një asist Rakitiç, i cili shënon dhe ngre peshë tifozët katalans të pranishëm në stadium, por edhe miliona të tjerë që e ndiqnin ndeshjen nga televizori.

E gjithë pjesa e parë foli për Barcelonën, e cila u duk sikur i përgjumi kundërshtarët e Juventusit me atë gol të hershëm, madje edhe mund të kishin thelluar rezultatin në jo pak raste. Megjithatë, herë Buffon me pritje spektakolare, si të ishte në të 20-at e tij, dhe herë neglizhimet e sulmuesve “blaugrana”, bënë që rezultati të mbetej i pandryshuar deri në fund të 45-minutëshit. Ekipet u futën në dhomat e zhveshjes, për të dalë… më të karikuar.

Në pjesën e dytë u pa një tjetër Juventus, i cili që në fillim u hodh në sulm duke vënë shpesh herë në vështirësi mbrojtjen katalanase, por sërish 4 minuta pas vërshëllimës së dytë rezultati mund të kishte ndryshuar, po të mos ishte për Buffonin, përballë tentativës së Suarezit.

E pikërisht në atë moment kur të gjithë mendonin se Barcelona mund të shënonte golin e dytë, ishte një tjetër spanjoll që shënonte në Berlin. Alvaro Morata, i cili duhet se ka rilindur pas transferimit në Itali, madje nuk është ndalur së shënuari edhe në Champions League. Pasi eliminoi Realin e Madridit në gjysmëfinale, me nga një gol në secilin takim, kësaj radhe Morata përfitoi nga një aksion i nisur prej Marchisios dhe kombinimit të tij me Lichtsteiner. Ky i fundit gjen Tevezin në qendër, por gjuajtja e tij u ndal nga Ter Stegen, edhe pse ky nuk e zotëroi siç duhej topin. Aty përfitoi Morata dhe 1-1 në minutën e 55-të. Një barazim që ndezi shpresat e juventinëve, të cilët vijnë në finale pas plot 12 vitesh, atëherë humbisnin ndaj Milanit me penallti.

Aq sa vite kishin pa kaluar në finale, aq minuta iu deshën Juventusit për të rrezikuar sërish dhe për të tentuar fitoren, por një penallti e pastër iu mohua Pogbasë, pas mbajtjes në zonën e rreptësisë nga braziliani Dani Alves. Për gjyqtarin gjithçka e rregullt.

Në të 68-n, shënon emrin në tabelën e golashënuesve edhe Luis Suarez. Shumë shpejt, thuajse me të njëjtin stil nuhatjeje për gol si të Moratës, pas gabimit të Ter Stegenit, shënon këtë herë uruguajani, pas moszotërimit të topit siç duhej nga Buffon. I gjithë aksioni ishte meritë e Messit, por golin e shënon tjetërkush.

Vetëm 4 minuta më pas, Neymar shënoi pas një goditjeje me kokë, por me ndihmën e dorës. Këtë herë është gjyqtari pas porte që e sheh qartë dhe anulon golin.

Pavarësisht disavantazhit, bardhezinjtë nuk u dorëzuan dhe kërkuan disa herë, por supremacia e Barcelonës triumfon sërish. Në minutën e 78, del Iniesta dhe futet legjenda e klubit, Xavi, për të luajtur në ndeshjen e tij të fundit pas karrierës 24-vjeçare me klubin. Por gëzimi nuk mbaron me kaq, sepse një kundërsulm vdekjeprurës i minutës së fundit shtesë nxjerr 3 katalanas përballë një mbrojtësi dhe Buffonit. Messi dhe Neymar nuk mund të gabonin dhe braziliani vulos rezultatin në 3-1. Ky është titulli i pestë kampion Europe për Barcelonën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA