
Çështja e vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi, të cilët u vranë gjatë luftës në Kosovë, pasi ishin anëtarësuar në radhët e UÇK-së, mund të zbardhet së shpejti.
Sipas portalit të lajmeve “Informer”, së shpejti lidhur me këtë rast mund të kryhet arrestimi i 40 personave, shtetas serbë, të dyshuar si të përfshirë në vrasje.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë prej 16 vitesh zbardhjen e vëllezërve Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyçi, shqiptarë të Kosovës me nënshtetësi amerikane. Sipas burimit të informacionit, në listën e të dyshuarve që mund të përfundojnë në pranga janë gjeneralë të policisë, ish-funksionarë të qeverisë serbe, gjykatës, si dhe funksionarë të tjerë të strukturave shtetërore.
Tre vëllezërit, të cilët kishin ardhur nga Amerika për të luftuar kundër njësive paraushtarake serbe, u ekzekutuan në një bazë policore të fshatit Petrovë.
Sipas prokurorit serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç, urdhrin për ekzekutimin e tre vëllezërve e dha ish-ministri i Brendshëm i Serbisë, Vlajko Stojilikoviç, i cili nuk jeton më.
Në prag të vizitës në Uashington, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se ky problem mes SHBA dhe Serbisë duhet të zgjidhet. Ndërsa ministri i Jashtëm Ivica Daçiç tha se, nuk mund të ketë arrestime pa prova dhe dëshmi.
Top Channel