Veliaj: Jo leje ndërtimi në “Don Bosko”; Shpaloset programi për Njësinë 4

04/06/2015 00:00

Në mesin e debateve të nisura lidhur me qendrën kulturore “Don Bosko” në kryeqytet, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë një mesazh të fortë dhe të qartë për këtë çështje.

“Sa të jem unë kryetar i Bashkisë së Tiranës, nuk do të ketë leje ndërtimi te qendra “Don Bosko”. Nuk do të lejojmë atë që u bë me planin e xhamisë së Tiranës”, tha Veliaj.

Me të njëjtën vendosmëri, foli dhe për ndërtimet tek diga e Liqenit: “Nuk do të ketë më leje ndërtimi te diga e Liqenit. Pikë!”.

Sipas Veliajt, mes SHQUP-it, siç e cilëson ai Partinë Demokratike, dhe mazhorancës ka një diferencë të madhe në bërjen e fushatës.

“Ata merren me familjet tona, ne do të punojmë për familjet e të gjithë Tiranës”, premtoi Veliaj.

Kandidati i mazhorancës u tregua po ashtu i drejtpërdrejtë kur deklaroi se për çdo gjë të bërë ka një emër: “Ai që dha leje për shtimin e katit të 13-të ka emër: quhet Lulzim Basha. Ai që ndërtoi te diga, ka emër: quhet Shkëlzen Berisha”.

Këto deklarata, Erion Veliaj i bëri gjatë një takimi të zhvilluar në zonën e Dajtit, e cila tashmë do të jetë pjesë e bashkisë së re të Tiranës, ku shpalosi programin e tij për zhvillimin e kësaj zone.

Pikat më të rëndësishme ishin turizmi, ndërtimi i shkollave dhe qendrave shëndetësore, infrastruktura rrugore dhe kanalet vaditëse.

Gjatë pasdites, Veliaj u ndal në Njësinë 4 ku vijoi me prezanitmin e programit konkret për ndryshimin e kësaj zone. Një ndër problemet më kryesore ishte ai i rrugëve të amortizuara.

“Rruga ‘5 Maji’, rr. ‘Selaudin Zorba’, rr. ‘Pavllo Pavli’, rr. ‘Abedin Cici’, rr. ‘Ram Sadria’ dhe e gjithë zona afër lumit të Tiranës do të rregullohen me votën e 21 qershorit”, është shprehur kandidati i mazhorances për Bashkinë e Tiranës. 

Veliaj po ashtu bëri të ditur dhe një vendim të Ministrisë së Kulturës, për t’ja kthyer ambientet e gjelbërta të ish-Kinostudios qytetarëve të kësaj Njësie.

“Kanë marrë një vendim historik për t’i hequr të gjitha rrethimet e asaj që sot quhet Kinostudio, dhe për t’i kthyer të gjitha hapësirat e gjelbërta në funksion të publikut të Njësisë numër 4”, ka deklaruar Veliaj.

Top Channel