Kosova, në betejën ndaj ISIS. I dërguari i Obamas, me zyrtarët më të lartë të shtetit

04/06/2015 00:00

I dërguari special i Presidentit amerikan në koalicionin global kundër ISIS-it, gjenerali John Allen ka qëndruar në Prishtinë, ku është takuar kokë më kokë me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Në takimet e mbyllura për mediet, gjenerali amerikan është njohur nga afër me punën, që po bëjnë institucionet e Kosovës për parandalimin e kosovarëve, që t’u bashkohen organizatave terroriste, bëjnë të ditur komunikatat për shtyp të lëshuara nga institucionet kosovare.

Siç njoftohet në një prej tyre nga Presidenca, gjenerali Allen vlerësoi anëtarësimin e Kosovës në koalicionin global për luftën kundër ISIS-it dhe pjesëmarrjen e saj në grupin punues të koalicionit, për shpërndarjen e mesazheve të kundërta.

Gjenerali Allen dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Jahjaga, u pajtuan rreth rëndësisë së shkëmbimit të të dhënave dhe të informacioneve për të ndihmuar në ndalimin e valës së luftëtarëve të huaj, si dhe diskutuan një varg mënyrash sesi mund të zgjerohet dhe thellohet përqasja ndaj komuniteteve, që mund të rrezikohen nga radikalizimi.

Presidentja Atifete Jahjaga, në takimin me gjeneralin Allen tha se Kosova, si anëtare e koalicionit global kundër ISIS-it ka ndërmarrë të gjitha masat, për të parandaluar dhe për t’u përballur me kërcënimin terrorist global, që paraqet ISIS-i apo dhe grupet e tjera terroriste të lidhura me të.

Jahjaga theksoi se, veprimet e hershme të institucioneve të Kosovës e kanë shndërruar atë në një shembull për qasjen ndaj këtij fenomeni sfidues të sigurisë.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa ka konfirmuar përpjekjen e qeverisë së Kosovës, që përmes hartimit të legjislacionit ka ndikuar në ndalimin e bashkimit të kosovarëve në luftëra të huaja. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi e ka njoftuar gjeneralin Allen me arritjet e institucioneve kosovare rreth luftimit të ekstremizmit, duke kujtuar krijimin e masave ligjore ndaj qytetarëve të Kosovës, që marrin pjesë në luftëra të huaja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA