Idrizi, në Sarandë: Të jemi të bashkuar

04/06/2015 00:00

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është takuar me elektoratin në qytetin e Sarandës. Gjatë fjalës së tij ai tha se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar.

“Nëse dikujt i dhemb syri kur një shqiptar i Çamërisë është nënkryetar i Parlamentit, është problem i tyre. Nëqoftëse dikush mendon se mund të urdhërojë se çfarë do të bëhet në Shqipëri, është prapë problem i tyre. Ne na duhet të jemi bashkë. Na duhet një Sarandë që të jetë e mbështetur me investime, sepse Sarandën e ka bekuar Zoti. Të votojnë për dinjitetin e tyre, të votojnë për gjakun e tyre, të votojnë për prosperitetin e tyre. Të votojnë për numrin 34, që do t’i bëjë të ndihen krenar, për pronat, për familjen, për besimin në Zot dhe për dinjitetin e shqiptarëve”, tha z. Idrizi.

Saranda, vijoi kreu i PDIU-së, i ka të gjitha mundësitë për të qenë një atraksion turistik, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.

“Bashkia e Sarandës, që unë mendoj se duhet të ishte më e madhe duhet të marrë vendin që meriton, t’i kthehet dinjiteti, të bëhet një vend turistik, arkeologjik, historik, ashtu siç i takon Sarandës. Por që ta bëjmë këtë gjë, unë dua të ftoj të gjithë ata që ndjejnë kauzën e kësaj partie, por edhe të gjithë sarandiotët që të bëhen pjesë e PDIU-së, një parti që do të mbështesë të gjithë qytetarët e Sarandës. Dua t’ju bëjë ftesë veçanërisht të gjithë patriotëve të mi, shqiptarëve të Çamërisë: ja ku e kanë shtëpinë e tyre, një shtëpi e hapur për çdo shqiptar. Do të shihni rezultatet e PDIU-së në të gjithë Shqipërinë, nga Dibra, nga Kukësi, nga Vermoshi e deri në Konispol. sepse ne jemi një parti e madhe dhe do të dyfishojmë votat. Na duhet fuqi, në mënyrë që të adresojmë problemet që ju keni.”, theksoi Idrizi.

PDIU kandidon në të gjitha bashkitë e Qarkut të Vlorës me kandidatë për këshillat bashkiakë dhe synon përfaqësim dinjitoz në bashkitë e reja.

Top Channel