Basha: Rama-Meta nuk kanë zgjidhje për papunësinë dhe krizën

04/06/2015 00:00

Përpara se të niste takimin elektoral në Sarandë, Lulzim Basha çtensionoi situatën politike në qytet, kur u ndal në një nga çadrat kundërshtare. Fuqia e Bashës në këtë fushatë duket se qëndron tek ajo qe ai e përkufizon si keq-qeverisje dhe mashtrim.

“Ku janë paratë e nxjerra nga taksat e larta, çmimet e larta? Na kanë hapur investime me këto para? Zero. A kanë hapur kantiere pune? Zero kantiere. A kanë bërë gjë për shëndetësinë falas? Kush kurohet falas? Asnjë”, u shpreh Basha.

Kryetari i PD-së akuzoi kryeministrin Rama se po tallet me shqiptarët në çdo takim elektoral. “Bën humoristin, mendon se do harrojnë shqiptarët. Prandaj 21 Qershori nuk është ditë estrade, është dita e llogaridhënies. Për premtimet e pambajtura”, tha Basha.

Programi e Partisë Demokratike për qeverisje në interes të qytetarëve edhe në Sarandë iu ofrua edhe votuesve të majtë.

“Ejani t’i japim një mesazh oligarkisë: Që Saranda nuk ka dalë në shitje, që Sarandën nuk e blen dhe e shet dot Koço Kokëdhima dhe klientela e tij, se Saranda do të mbetet e sarandiotëve”, u shpreh Basha.

Pse i duhet një votë plebishitare Bashës për ofertën e tij të taksave të ulëta, për çmim më të ulët për energjinë dhe karburantet kur zgjedhjet janë lokale dhe jo politike?

“Nuk ka dhe nuk do të ketë qeveri që të ndalë verdiktin popullor. Do ta pranojnë se s’bën, sepse kur populli flet, qeveria ka dy rrugëzgjidhje: të pranojë fjalën e popullit, ose të largohet. Nuk ikën populli, ikën qeveria”, tha Basha.

Këtë mesazh, Basha e përforcoi edhe në takimet gjatë mbrëmjes në Bashkinë e re të Libohovës, ku u kërkoi demokratëve të punojnë derë më derë me çdo qytetar.

Top Channel