Reforma në arsimin e lartë; studentët në protestë, rektorët kundërshtojnë në komision

03/06/2015 00:00

Lëvizja për universitetin ka protestuar në heshtje para Kryesisë së Kuvendit, për të kundërshtuar reformën në arsimin e lartë. Studentët, përmes pankartave që mbanin në duar, kanë kërkuar edhe njëherë nga deputetët kundërshtimin e këtij projektligji.

Në Komisionin e Medias dhe të Arsimit, ku një pjesë e madhe e deputetëve të opozitës nuk ishin të pranishëm, u kundërshtuan disa nene të këtij projektligji nga rektorët e universiteteve publike.

“Neni i financimit të sistemit të arsimit të lartë del jashtë kapaciteteve që ofron zhvillimi shoqëror aktual i vendit, për arsyen e thjeshtë se konceptuesi i projektligjit e mbështet zhvillimin e arsimit të lartë në forcën ekonomike dhe në vullnetin sponsorizues të biznesit shqiptar. Roli i të cilit në këtë fushë as nuk është provuar, as nuk ka qenë traditë, dhe as nuk është eksperimentuar ndonjëherë, për të pasur një ide mbi rezultatet e pritshme”, është shprehur Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike.

“Në nenet 8, 9, 10, 11, 13, 14 parashikohet krijimi i disa strukturave shtetërore, të cilat mund të ndikojnë në shtimin e procedurave burokratike, rritjen e kostos financiare në buxhetin e shtetit për arsimin e lartë, dhe cenimin e autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë nëpërmjet mekanizmave të shumtë”, deklaroi Jorgo Kaçani, rektor i Universitetit Politeknik.

“Ne kemi hequr dorë në mënyrë të qëllimshme nga përmendja e institucioneve të posaçme në ligj, në mënyrë që të kemi rregullime të përgjithshme, ndaj të cilave, më pas, institucionet e posaçme mund të përshtaten dhe të përshtasin pozicionin e tyre pavarësisht nga rëndësia që kanë. Qendrat kërkimore dhe institucionet ndërinstitucionale ekzistojnë në ligj dhe janë aty të njohura si të tilla. Më pas do të jetë një çështje e politikës qeverisëse, që të përshtasë institucionin sipas nevojave të parashikuara në ligj”, u kundërpërgjigj Arbjan Mazniku, zëvendësministër i Arsimit

Në Komisionin e Medias dhe të Arsimit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bankës Botërore, të cilët thanë për Top Channel se, po shikohet me kujdes çështja e financimit dhe sa janë gati universitetet shqiptare për zbatimin e kësaj forme.

Top Channel